“Drejtësia ka të gjithë mbështetjen tonë për të vijuar dhe çuar në një nivel tjetër luftën kundër korrupsionit dhe çdo formë tjetër të shkeljes së ligjit”, kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Taulant Balla kur u pyet në lidhje me arrestimin e Jorgo Goros. Balla nuk preferoi të zgjatej më shumë për këtë çështje, për të cilën tha se nuk komentojnë vendimet e drejtësisë.
Pyetje: Duke qenë se Bashkia e Himarës është fituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ekziston ndonjë vullnet nga PS që bashkinë ta drejtojë një këshilltar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe jo një socialist duke qenë se ju jeni humbësit në këtë bashki?
Taulant Balla: Unë jam ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë dhe nuk më takon që të bëj deklarata të natyrës politike lidhur me vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Himarë. Të ju lëmë vendimmarrjen institucioneve që ju takon me ligj ushtrimi i kësaj vendimmarrje. Do të ishte e pavend që të jepja komente mbi këtë vendimmarrje.
Pyetje: Cili është qëndrimi politik i qeverisë kur të shtunën një kryebashkiak socialist, tashmë i dorëhequr është arrestuar dhe akuzohet për shpërdorim detyre?
Taulant Balla: Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk komentojmë vendimet e drejtësisë. Drejtësia ka të gjithë mbështetjen tonë për të vijuar dhe çuar në një nivel tjetër luftën kundër korrupsionit dhe çdo formë tjetër të shkeljes së ligjit.