Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar socialist për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i së shtunës se “qeveritë duhet të kenë një fond special” për tërmetet.
“Qeveritë duhet të kenë një fond special sepse jemi në një zonë sizmike. Isha 18 vjeç kur ndodhi në Shkodër dhe e kam përjetuar. Them se ka ardhur koha për një fond të tillë, që të mos i shtrijmë dorën askujt dhe të veprojmë me fondet tona”, deklaroi Sterkaj.
Kryeministri Rama u përgjigj se “fondi është gjithmonë në buxhet”, duke shtuar se në rastet e tërmeteve të mëdha, edhe shtetet e fuqishme kërkojnë ndihmë nga vendet e tjera.
“Fatmirësisht, me këtë masë dëmesh jemi të qetë nga kapaciteti mbulues financiar. E thashë që në hyrje se Ministria e Financave i ka bërë skenarët, duke parashikuar një skenar shumë më të keq. Ndërsa kur tërmetet e kalojnë kufirin e të papërballueshmes, edhe shtetet e mëdha i drejtohen solidaritetit ndërkombëtar. Kjo është dhe arsyeja që dje më kanë marrë në telefon kryeministri i Italisë, Presidenti i Francës dhe kancelarja austriake”, tha Rama.