Pas deklaratave të Emmanuel Macron dhe “Jo”-së së Francës për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me arsyetimin e se BE ka nevojë për të ristrukturuar procesin e zgjerimit, Parisi ka zyrtarizuar qëndrimin e saj duke dërguar një draft në Bruksel lidhur me zgjerimin e unionit.
Në draft rikonfirmohet edhe njëherë angazhimi se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Europës, për shkak të historisë, kulturës dhe gjeografisë së tyre, por ky proces duhet rishikuar.
“Një qasje e re ndaj procesit të pranimit është e nevojshme për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në terma konkret në lidhje me reformat që duhen përmbushur për sundimin e ligjit dhe përgjithësisht për të zbatuar standardet europiane. Kjo qasje duhet të shoqërohet nga një angazhim i fortë nga Bashkimi Europian në mënyrë që t’i ndihmojë ata të përballen me sfidat e shumta dhe komplekse që lidhen me zhvillimin e tyre ekonomik dhe shoqëror, të kenë komandën e kompetencave në lidhje me territorin e tyre dhe të përballen me sfidat e tyre të sigurisë dhe migracionit”, thuhet në draft.
Katër pikat
Drafti përbëhet nga katër pika kryesore, që janë:
1- Anëtarësimi gradual, që nënkupton që bisedimet të organizohen rreth politikave që vendet kandidate do të përfshihen gradualisht.
2- Kushte më strikte, të cilat kanë të bëjnë me përafrimin në mënyrë efektive ndaj normave dhe standardeve europiane në fushën e sundimit të ligjit, por edhe zhvillimit ekonomik dhe social.
3- Përmirësimin e jetës së qytetarëve përpara anëtarësimit.
4- Një proces i kthyeshëm. Procesi do të jetë i kthyeshëm për të siguruar besueshmërinë, pra mundësia për ta anuluar atë.
Në draft, veç detyrave dhe përfitimeve të vendeve kandidate, theksohet vendosja e një mbikëqyrje speciale për procesin e ri.
Komisioni do të asistojë dhe monitorojë rregullisht progresin e bërë nga vendet kandidate.
Vetoja franceze për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore
Qëllimi i propozimit francez, thekson dokumenti, është anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Europian i vendeve kandidate. Ky dokument i qarkulluar vetëm në duart e disa diplomatëve, u bën thirrje vendeve anëtare për një qasje të re në lidhje me zgjerimin e BE-së.
Në dokument shpjegohet edhe vetoja franceze për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Aty theksohet transformimi shumë i ngadaltë politik, ekonomik e shoqëror i domosdoshëm për të ardhmen dhe vetë procesit e anëtarësimit.
Gjithashtu dokumenti francez thekson se përfitimet e drejtpërdrejta për qytetarët kanë qenë të papërfillshme nga reformat e ndërmarra.