Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë këtë mëngjes kryeministri Edi Rama u ka dhënë sërish ultimatum pronarëve që kanë ndërtuar pallate të cilat janë dëmtuar.
Rama kërkoi që personat në fjalë të shkojnë pranë zyrave të emergjencës dhe të paguajnë sipas tij një për një dëmet. Nëse kjo nuk ndodh, sipas Ramës këta persona i pret burgu.
“Jemi duke punuar edhe me kuadrin e ri ligjor dhe penal me abuzimet në ndërtim. Njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë të gjitha hartat.
Dua të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive që janë ndërtuar, të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse të drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën në Durrës dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për ti paguar një për një vetë godinat nga ato sipërfaqësore deri te dëmet që janë shkaktuar njerëzve.
E bëj këtë apel se shumë shpejt do të jetë vonë për ta, kush shmanget do të jetë i akuzuar nga organet e drejtësisë dhe do të kërkojmë burgim. Bëhet fjalë për dëmtime që nuk kërcënojnë qëndrueshmërinë e godinës por e vënë në pamundësi gatishmërinë e saj”, tha Rama.