Zlatan Ibrahimovic shikon që tani ngjyrat kuqezi. Suedezi i cili së fundmi i ka thënë po ofertës së Milanit, ka postuar në Instagram një foto që e bën akoma edhe më të besueshëm rikthimin e tij te Milani.
Zlatan shfaqet në foto me sytë e kuq dhe me një xhaketë të zezë, një indicie kjo se kalimi i tij te 7-herë kampionët e Europës është shumë afër. Gjasat janë që Ibrahimovic të zbarkojë në Milano që gjatë kësaj jave për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën që do ta lidhë me Milanin për 6 muajt e ardhshëm me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit deri në verën e 2021-it.
Deri në qershor Ibra ka arritur akordin për një kontratë me një pagë prej 3 milionë eurosh, ndërkohë në bazë edhe të paraqitjeve të tij në fushë dhe golave të shënuar nëse ai rinovon në sezonin 2020-2021, 38-vjeçari do të përfitojë 6 milionë euro në total. Ibrahimovic do të jetë në dispozicion të Stefano Piolit që për ndeshjen e parë të vitit 2020 atë ndaj Sampdorias në datën 6 janar.
Ibra ka qenë pjesë e Milanit në sezonet 2010-2011 dhe 2011-2012 teksa në 85 paraqitje me fanellën kuqezi realizoi 56 gola në të gjitha kompeticionet duke fituar edhe dy trofe titullin e Serie A në 2011-ën dhe Superkupën e Italisë në të njëjtin vit.