Bota Ambiciet e Putinit për Afrikën

Ambiciet e Putinit për Afrikën

Moska kërkon të ringjallë marrëdhëniet me Afrikën. Në konferencën ruso-afrikane në Soçi, Putini shpreh mbështetje për kryetarët e shteteve afrikane. Moska ka plane të mëdha ekonomike dhe politike në Afrikë.

Kersten Knipp*   

Në takimin ruso-afrikan marrin pjesë 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 10 mijë pjesëmarrës nga 54 vende. Takimi i nivelit të lartë që u hap ditën e mërkurë (23 tetor) në Soçi tregon se Rusia përpiqet të ringjallë marrëdhëniet me Afrikën. Rreth 30 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Moska kërkon që t’ i afrohet sërish kontinentit politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht.

Piketat për konferencën janë vendosur prej kohësh. Që në vitin 2015, Putini priti 12 kryetarë shtetesh afrikane. “Afrika po bëhet gjithnjë e më shumë kontinent i mundësive”, tha Putini në fillim të takimit të nivelit të lartë.

Ashtu si Kina, edhe Rusia duket se po mundohet të bëjë investime në nivel miliardash. Mes të tjerash bëhet fjalë për tregti me makineritë bujqësore, me automjetet, prodhimet kimike dhe farmaceutike, avionët dhe teknikën kozmike. Po ashtu do të lidhen marrëveshje në fushën e turizmit dhe për ndërtimin e zonave industriale.

Centralë atomikë për Afrikën

Putini ka shpresa të mëdha për koncernet ruse të naftës dhe gazit dhe për kërkuesit e diamanteve, Alrosa. Me koncernin e internetit Yandex, Rusia kërkon të bëjë lidhjen digjitale të kontinentit. Koncerni atomik Rosatom do që të marrë kontrata për ndërtimin e centraleve atomikë.

Por synimi kryesor i Moskës, thotë Olga Kulkova, studiuese për Afrikën në Akademinë ruse të shkencave është një. “Rusia kërkon të gjejë vendin e vet në partneritetin me Afrikën”. Ky synim është ambicioz. Brenda pesë viteve të ardhshme volumi tregëtar pritet të dyfishohet, nga 20 miliardë dollarë (2018) në 40 miliardë dollarë.

Bashkë me Moskën kundër kolonizatorëve

Sidoqoftë nuk kemi të bëjmë vetëm me interesa ekonomike, tha Putini disa ditë më parë. “Ne shohim se si disa vende perëndimore ushtrojnë presion dhe shantazh ndaj vendeve sovrane afrikane”, tha presidenti rus duke folur për mediat ruse. Fjalët e Putinit, zgjojnë tek afrikanët kujtimet e të kaluarës, kur ish-Bashkimi Sovjetik përkrahte lëvizjet çlirimtare të kontinentit. “Pa këmbënguljen e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë dhe shpërthimit të luftës antikolonialiste, shumë vende nuk do e kishin parë kurrë dritën e pavarësisë,” thotë për Deutsche Wellen, Obadiah Mailafia, ish- zëvendësguvernator i Bankës Qendrore nigeriane.

Aleancë autoritare

Se çfarë pamje do të ketë bashkëpunimi politik e tregon kryesimi i konferencës. Krah Putinit ndodhet presidenti egjiptian Abdel-Fatah el-Sissi. Ai është në krye të një qeverie të akuzohet nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për përdorimin e dhunës kundër të burgosurve. “Tortura dhe keqtrajtime të tjera janë në rend të ditës në burgjet zyrtare dhe praktikohen sistematikisht në qendrat e arrestimit të shërbimit sekret kombëtar”, shkruan “Amnesty International”.

Edhe angazhimi i pathyeshëm i Rusisë në krah të presidentit sirian Bashar al-Assad, i cili është përgjegjës për vrasjet e 500 mijë qytetarëve të vendit të vend në luftimet që zhvillohen në vend, tregon se Rusia nuk është e interesuar për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut nga partnerët afrikanë.

Kështu për shembull për tregtinë e armëve, po ashtu një nga temat e konferencës, nuk ekzistojnë kufizime. Sipas “Stockholm International Peace Research Institute” (SIPRI), Rusia eksporton sot vetëm 17 përqind të armëve të veta në Afrikë. Pjesa më e madhe shiten në Algjeri, një ish-shtet socialist, me të cilin Bashkimi Sovjetik ka pasur marrëdhënie të ngushta gjatë Luftës së Ftohtë.

Bombë atomike për Afrikën e Jugut

Rusia eksporton në Afrikën Sub-Sahariane vetëm 3 përqind të eksporteve që shkojnë në kontinent. Ekziston pra mundësi e madhe zhvillimi. Kjo për më tepër që Rusia ka lidhur në vitin 2014 marrëveshje bashkëpunimi ushtarak, me 19 shtete afrikane. Në vitet 2017 dhe 2018 Rusia lidhi me gjashtë shtete afrikane, Angolën. Nigerinë, Sudanin, Malin, Burkina Fason dhe Guinean Ekuatoriale, marrëveshje të furnizimit me armë. Ato përfshijnë avionë luftarakë, helikopterë luftarakë dhe transporti si dhe raketa antitank.

Kështu që mbase nuk është rastësi që ditën që filloi konferenca e Soçisë, në Afrikën e Jugut zbarkojnë dy avionë rus që mund të transportojnë bomba atomike. Ministria e Mbrojtjes në Moskë bëri të ditur se dy bombarduesit Tupolev Tu 160, që zbritën në bazën ajrore Waterkloof, janë kontribut për nxitjen e marrëdhënieve ushtarake me vendin që ndodhet në skajin jugor të Afrikës.

Pozicionim strategjik

Se ç’pamje do të ketë në të ardhmen bashkëpunimi ushtarak i Moskës me shtetet afrikane, mund të shihet në Republikën e Afrikës Qendrore. Atje janë angazhuar 200 këshilltarë ushtarakë rus. Arsyeja e kësaj prezence janë burimet me lëndë të para. Ky vend zotëron sasira të mëdha urani. Në përgjithësi në kontinent ka disa minerale si krom, mangan, boksit, për të cilat Rusia është shumë e interesuar.

Firmat private ruse luajnë rol kryesor në temën e lëndëve të para, thotë eksperti për çështjet ruse, Paul Stronski nga  US-Think Tank “Carnegie-Endowment for International Peace”. Këto kompani janë pararoja, punën e të cilit e shfrytëzon pastaj shteti rus, “për të rritur pa bërë shpenzime prezencën dhe ndikimin politik në vende të veçanta.”

*DW