Aktualitet Antitankë, mitralozë, snajper, silenciatorë: Çfarë zbuloi policia në magazinën e armëve në...

Antitankë, mitralozë, snajper, silenciatorë: Çfarë zbuloi policia në magazinën e armëve në Kashar (VIDEO)

Policia e Tiranës ka dhënë detaje nga operacioni gjatë të cilit u zbulua një magazinë armësh në Kashar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Arsenali” u arrestua shtetasi Kujtim Çaushi dhe u shpall në kërkim Erlind Çaushi.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në Kodër-Mëzes, në një magazinë, një shtetas mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Arsenali”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Kujtim Çaushi 62 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu, u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi Erlind Çaushi, 35 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në garazhin 62-vjeçarit, në Kodër-Mëzes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 automatik, 1 snajper me dylbi, 2 mitralozë, 2 silenciatorë, 2 granata hedhesë të lehta kundratank, 9 granata të tjera të llojeve të ndryshme, sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, 3 motomjete pa targa, 1 mjet lundrues “Jet ski”, 4 palë targa automjetesh shqiptare dhe të huaja, 2 fenelina policie dhe 1 paruke.

Po punohet për kapjen e shtetasit Erlind Çaushi, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njoftoi policia.