Sport Asani transferohet te 12 herë kampionët e Suedisë

Asani transferohet te 12 herë kampionët e Suedisë

Dy vjet pasi u bë pjesë e Partizanit, Jasir Asani bën hapin e madh në karrierë. Sulmuesi i kampionëve të Shqipërisë do të transferohet në elitën e futbollit suedez, në radhët e AIK Stokholm.

Klubi skandinav konfirmoi huazimin e 24-vjeçarit deri në fund të sezonit, në qershor të vitit 2020, ndërsa më pas do të vendosë nëse do të blejë apo jo kartonin e futbollistit.

Lojtari do të bashkohet me ekipin e ri prej muajit janar. Edhe Partizani e konfirmoi marrëveshjen, duke njoftuar se Asani do të jetë pjesë e skuadrës edhe për dy ndeshjet e fundit të këtij viti, ndaj Teutës dhe Vllaznisë.

AIK Stokholm ka fituar 12 tituj kampionë të Suedisë, me suksesin e fundit që është regjistruar në vitin 2018, ndërsa është një prej pretendentëve edhe në këtë sezon.

Drejtori i AIK i thur lavde

Gjatë zyrtarizimit të marrëveshjes me Partizanin për mesfushorin me tipare sulmuese, Jasir Asani, klubi suedez i AIK ka shkruar me superlative për 24-vjeçarin. Duket qartë se kanë studiuar mirë dhe i njohin aftësitë e tij, nga të cilat duan të përfitojnë menjëherë, që nga janari. “Jasir është një sulmues i jashtëm, mjaft i shpejtë. Spikat në lojën me dhe pa top. Ka një këmbë të majtë shumë të mirë. Ai ka një refleks natyror të rikthimit mbas, si dhe një forcë vrapimi, që i lejon të kontribuojë në lojën difensive në pjesë të mëdha të fushës. Ne dëshirojmë që Jasir të na ndihmojë në fazën ofensive të ekipit dhe mezi presim të punojmë me të që nga fillimi i janarit”, – thotë menaxheri sportiv i AIK, Björn Wesström.

Asani ndihet krenar për klubin e ri

Vetë Asani tha për faqen e klubit të tij të ri: “Futbolli është pasioni im i madh. Fakti që jam në gjendje të luaj për AIK është një nder i madh dhe një mundësi e shkëlqyer për mua. Do të bëj gjithçka që mundem për të fituar dashurinë e drejtuesve e stafit teknik, të shokëve të ekipit dhe tifozëve”.