Sport Asnjë klub si Juvja, klubi me bonusin më të lartë nga Euro...

Asnjë klub si Juvja, klubi me bonusin më të lartë nga Euro 2016

UEFA shpërblen klubet që lejuan futbollistët e tyre të luajnë me përfaqësueset respektive në eliminatoret dhe fazën finale të Euro 2016.

Numri i përgjithshëm i klubeve që kanë përfituar bonusin e përcaktuar, është 641, ndërkohë që vlera totale është 150 milionë euro, 50 milionë më shumë se shpërblimi i dhënë për vitin 2012.

Sipas skemës së përcaktuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA, 100 milionë euro shkuan për klubet që lejuan futbollistët e tyre në fazën finale të Euro 2016, ndërsa 50 milionët e tjerë për ata që morën pjesë në kualifikuese me kombëtaret e tyre.

Në këtë pikë, klubi që përfitoi më shumë është Juventus që kishte 12 futbollistë në Europianin e Francës. Shifra që shkoi në arkat e “Zonjës së Vjetër” ishte rreth 3.5 milionë euro duke lënë pas vetëm për pak Liverool-in me gati 3.4 milionë euro. Podiumin e plotëson një tjetër skuadër angleze, Tottenham me 3 milionë euro i ndjekur nga Manchester United dhe Bayern Munchen.

Klasifikimi vijon me Realin e Madridit, Arsenalin e Barcelonën, ndërkohë që në dhjetëshen që kanë përfituar këtë bonus nga UEFA përfshihen edhe Roma e Southampton.