Kryesore “Babai” i anti-karantinimit suedez pranon gabimin: Humbëm shumë njerëz

“Babai” i anti-karantinimit suedez pranon gabimin: Humbëm shumë njerëz

Anders Tegnell, shefi epidemiolog i Suedisë, i cili është prapa strategjisë së vendit për të mos mbyllur për shkak të pandemisë koronavirus, ka pranuar se duhet të ishin vendosur më shumë kufizime për të parandaluar përhapjen e COVID-19, raportoi BBC të mërkurën.

Për muaj të tërë, Anders Tegnell ka mbrojtur qasjen e tij – e cila nuk e mbylli Suedinë si vendet e tjera – si më të qëndrueshme, duke kritikuar të tjerët për masat e tyre tepër kufizuese.

Por në një intervistë me radion suedeze të mërkurën në mëngjes, ai u pajtua që shumë njerëz kishin vdekur në vendin e tij.

“Nëse do të përballemi me të njëjtën sëmundje tani, duke e ditur saktësisht atë që dimë sot, unë mendoj se do të ishim diku në gjysmë të rrugës midis asaj që ka bërë Suedia dhe asaj që ka bërë pjesa tjetër e botës”, tha ai.

“Unë mendoj se ka vend për përmirësime. Do të ishte mirë të dinim saktësisht se çfarë duhej të mbyllnim në mënyrë që të parandalonim përhapjen e infeksionit. Në të ardhmen, ne duhet të konsiderojmë nëse ka mënyra për të parandaluar vdekjet”, tha ai.

Anders Tegnell

Komenti i tij mbërrin edhe pas vendimit të Qeverisë suedeze, që ditën e hënë njoftoi ngritjen e një komisioni hetimor për të vlerësuar strategjinë dhe qasjen që u ndoq ndaj përballimit të pandemisë.

Ky vendim është edhe një përgjigje e presionit në rritje të qytetarëve suedezë, që kërkojnë shpjegime, sidomos pas vendimit të Norvegjisë dhe Danimarkës, që hapën kufijtë me njëra-tjetrën, por jo me Suedinë.

Të dyja vendet e justifikojnë vendimin për të mos hapur kufijtë me Suedinë me numrin e lartë të personave të infektuar me koronavirus.

Suedia ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë në botë. Më shumë se 4,400 njerëz vdiqën dhe 38.500 u infektuan.

Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia së bashku kanë rreth 1.100 vdekje.