Bota Pyetet për deklaratën e Trump për të përdorur ushtrinë, Justin Trudeau hesht...

Pyetet për deklaratën e Trump për të përdorur ushtrinë, Justin Trudeau hesht për mbi 20 sekonda

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ra në heshtje për më shumë se 20 sekonda gjatë një konference për shtyp këtë të martë, kur e pyetën se çfarë mendonte për idenë e presidentit Donald Trump për të përdorur ushtrinë kundër protestuesve.

Trudeau u vu në pozitë të vështirë. Shprehia e fytyrës i ndryshoi disa herë, teksa edhe bëhej gati të përgjigjej, edhe dukej se donte t’i shmangej.

“Të gjithë po shohim me tmerr se çfarë ndodh në SHBA. Ka ardhur koha që ta bashkojmë popullin, si dhe të dëgjojmë.

Erdhi koha të mësojmë se çfarë është padrejtësia, dhe se si vazhdon edhe sot, pavarësisht përparimit që kemi bërë në vitet e fundit”, u përgjigj ai nga Otava.

“Ka ardhur koha që dhe ne kanadezët të pranojmë se kemi sfidat tona këtu, që edhe kanadezët me ngjyrë përballen me diskriminim, një realitet që e shohim çdo ditë.

Në Kanada ka pasur diskriminime sistematike, që do të thotë se sistemi i ka trajtuar ndryshe kanadezët me ngjyrë”, shtoi kryeministri.

Protestat kanë vazhduar në SHBA, por janë përhapur edhe në dy qytetet e mëdha të Kanadasë, Montreal e Toronto.

Ndonëse shumica e protestave kanë qenë paqësore, në Montreal pati grupe të rinjsh që thyen xhamat e dyqaneve e nisën të plaçkisin.

Ditën e hënë, policia amerikane përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmën e mbledhur pranë kishës Saint John në Uashington, ku Trump do të bënte një vizitë.

Situata vazhdon të jetë e tensionuar në të gjithë SHBA-të, teksa protestat vazhdojnë bashkë me plaçkitjet.