Aktualitet Basha: PD do të mposhtë krimin e organizuar

Basha: PD do të mposhtë krimin e organizuar

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë për lidhje me krimin e organizuar.

“Blerja, dhunimi dhe tjetërsimi i votës nga Rama dhe PS u bë falë parave të pista të krimit dhe ndihmës së bandave”, ka deklaruar Basha.

Ndonëse nuk ka cituar deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu, që kritikoi strukturat e shtetit për dështim në luftën ndaj kriminalitetit, Basha ka theksuar se shqiptarët e kanë të qartë që qeveria është e blerë.

Sepse kur përdoren lekët e kriminelëve për të ardhur në pushtet, shteti do të jetë krah kriminelëve dhe jo qytetarëve”, ka thënë Basha.

Në këto kushte, “kur vendi ndodhet pranë greminës”, Basha ka njoftuar përgatitjen e një plani nga PD, për të nisur një luftë që sipas kreut të opozitës do të ketë një përfundim: “mposhtjen e krimit të organizuar”.

“T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar është njësoj si t’i thuash të luftojë vetëveten. T’i japim vendit zgjidhjen e kësaj gjendjeje duke larguar kartelin krim-politikë”, ka shtuar Basha.