Aktualitet BE do të dërgojë armë në Ukrainë, nuk kishte ndodhur kurrë më...

BE do të dërgojë armë në Ukrainë, nuk kishte ndodhur kurrë më parë

Bashkimi Europian ka bërë të ditur se do të nisë dërgimin e armëve në Ukrainë, herë e parë në histori që ndërmerr një hap të tillë.

Lajmi është bërë i ditur nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila mbajti një konferencë për shtyp pasditen e së dielës pikërisht për agresionin rus në Ukrainë.

Ndër të tjera, ajo njoftoi edhe një sërë sanksionesh të reja ndaj Rusisë, por edhe Bjellorusisë dhe ndalim të hapësirave ajrore të BE për Rusinë.

Ursula von der Leyen njoftoi sot 3 masa që ka marrë BE kundër Rusisë dhe Bjellorusisë për agresionin ndaj Ukrainës.

Ursula von der Leyen tha se hapësira ajrore e BE-së do të jetë e mbyllur për avionët e regjistruar në pronësi ruse, ose të kontrolluar nga Rusia, përfshirë avionët private të oligarkëve.

“Ata nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së”, tha ajo.

Masa e dytë, Von der Leyen tha se është ndalimi i mediave të Kremlinit në BE, për shkak të “keqinformimit”.

“Kompanitë shtetërore Russia Today dhe Sputnik, dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit. Ne po zhvillojmë mjete për të ndaluar dezinformimin e tyre toksik e të dëmshëm në Evropë”, tha Von der Leyen.

Sanksionet e BE-së nuk do të prekin vetëm Rusinë, për edhe Bjellorusinë, sanksione të cilat Von der Leyen thotë se do të godasin sektorët më të rëndësishëm të vendit.

“Do të synojmë agresorin tjetër në këtë luftë, regjimin e Lukashenkos, me një paketë të re sanksionesh, duke goditur sektorët e tyre më të rëndësishëm”, u shpreh Von der Leyen.

Për këto masa, KE ka rënë në dakordësi me partnerët ndërkombëtarë.