Politika Berisha: Rama, ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion

Berisha: Rama, ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion

Berisha jep udhëzimet: Fati i këtij revolucioni varet nga komunikimi ynë me qytetarët

Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur ditën e sotme në selinë blu. Në nisje të mbledhje, fjalën e ka mbajtur kryedemokrati Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha i ka dhënë Kryesisë së Partisë Demokratike udhëzime dhe këshilla për t’u afruar sa më shumë me qytetarët përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me to dhe tha se duhet bërë gjithçka.

“Fati i këtij revolucioni varet nga komunikimi ynë me qytetarët, jo përmes ekranit, por kontaktet direkte janë rruga absolute e suksesit të revolucionit”, udhëzoi Berisha.

Po ashtu, kryetari i PD-së Sali Berisha risolli në vëmendje dosjen hetimore “McGonigal” dhe referuar asaj akuzoi kryeministrin Rama, si porositës të vrasjes së opozitës, për të cilin tha se duhet të largohet me revolucion.

“McGonigal, që vazhdon të jetë kryefjalë e medieve botërore, është në burg, kurse porositësi i vrasjes me pagesë të opozitës shqiptare, është në pushtet. Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit, asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten. Kjo është e vërteta. Ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion. Sepse, Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ka degraduar në shkallën më ekstreme. Në Europë është narkoshteti i parë dhe i vetëm. Do të thotë se vendos mafia e drogës. Shqipëria është vendi i qytetarëve, që vidhen në mënyrën më monstruoze. 4.5 milionë euro po ndërtohet autostrada Kakavijë-Janinë, 22 milionë euro po ndërtohet autostrada Limuth-Rrogozhinë. A munden shqiptarët të pranojnë një gjë të tillë? Marrim vetëm këto krahasime. Kurse rrugët anësore të autostradës Lekaj-Tepelenë shkojnë 7.1 milionë dollarë për kilometër. 320 milionë së bashku“, akuzoi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha tha se askush nuk duhet të ketë iluzione se McGonigal ishte person i izoluar.

“Fati i këtij revolucioni varet nga komunikimi ynë intensiv me qytetarët, jo nëpërmjet ekraneve. Do i përdorim ekranet, por kontaktet direkte janë rruga absolute e suksesit të revolucionit. Për ne ishte një ndihmë e jashtëzakonshme arrestimi i McGonigal me akuzat dhe qartësimin se ai komplotoi kundër pluralizmit në Shqipëri. Por, siç e thoshte Uashington Examiner, zyrtarë, në shumës, askush nuk duhet të ketë iluzione se McGonigal ishte person i izoluar. Dhe në këtë periudhë, ata që vazhduan veprën e McGonigal, me non-grata, me sulmet e paimagjinueshme ndaj PD, një forcë që përpiqej të mbronte vlerat perëndimore në këtë vend, po përpiqej të mbronte shtetin ligjor, po denonconte me gjithë forcat e veta. Por ajo nuk duhej të ekzistonte për këtë mafie të rrezikshme. Duhej të ekzistonte vetëm Edi Rama, që shpërndante para me valixhe dhe ushqente këto shushunja. Dhe që shfrytëzonin pushtetin e vendeve të tyre kundër opozitës në një rast unik. Kemi lexuar për grushte shteti për rrëzim qeverie, por grusht shteti për rrezik opozite ndoshta ka ndodhur, por nuk kam lexuar ndonjëherë”, përfundoi Berisha.