Kuriozitete Blen “llambën e Aladinit” për 77 mijë euro, arrestohen mashtruesit

Blen “llambën e Aladinit” për 77 mijë euro, arrestohen mashtruesit

Më shumë se një filmi të Disney, i ngjan një barsolete, por pa shumë kripë, historia me “llambë Aladini” që vjen nga India, që në fakt është më se e vërtetë.

Një mjek nga shteti indian i Uttar Pradesh, që ndodhet në veri të vendit, ka denoncuar për mashtrim dy persona që po tentonin t’i shisnin një llambë sipas tyre me veti magjike, që ekzaktësisht si ajo e personazhit të  “Një mijë e një netëve” kur fërkohej sillte në jetë një xhind të gatshëm për të përmbushur çdo dëshirë.

Llamba kishte një kosto jo të vogël, rreth 77 mijë euro, por mjeku i quajtur Laeek Khan i pagoi sepse sipas rrëfimit të tij, xhindi u shfaq me të vërtetë. Xhindi nuk mund të prekej, as llamba mund të merrej me vete në shtëpi sipas dy personave që e deklaronin veten si okultistë, dhe që me të njëjtën teknikë thuhet se kishin mashtruar edhe persona të tjerë.

Llamba dhe dy mashtruesit indianë

Në të vërtetë, xhindi ishte njëri prej mashtruesve, i maskuar dhe i shoqëruar me efekte të ndryshme, dhe mjeku realizoi shpejt se e vetmja mrekulli në atë histori ishte se si kishte rënë pre e një mashtrimi aq foshnjarak, që kujton më shumë historinë e “dyzet hajdutëve” sesa Aladinin.