Kryesore “Brenda 2030, BE gati për zgjerim”, Rama-presidentit të KE: Nuk besoj që...

“Brenda 2030, BE gati për zgjerim”, Rama-presidentit të KE: Nuk besoj që Shqipëria do të jetë anëtarësuar deri atëherë

Në fjalën e tij në hapjen e Forumit Strategjik të Bled-it, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të zgjerohet. Dhe, sipas tij, me shtetet e Ballkanit Perëndimor, kjo do të ndodhë deri në vitin 2030.

“Pajtohem me kancelarin Scholz kur thotë se BE-ja duhet të mbajë premtimet e veta”, shtoi Michel që bëri thirrje për hartimin e një agjende të qartë me afate kohore. “Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Do të krijojë momentum”, theksoi presidenti i Këshillit Europian.

Megjithatë, për kryeministrin Edi Rama, ky nuk është një afat kohor brenda së cilit Shqipëria mund ta gjejë veten anëtare. Në fjalën e tij në panelin e liderëve në Slloveni, kreu i qeverisë kërkoi nga Bashkimi Europian, përpos reformave dhe kriticizmit, mbështetje konstante përgjatë rrugës.

“Na duhen jo vetëm reforma dhe kritika, por edhe një mbështetje sa më konsistente. Jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga pikëpamja e aksesit të vendeve tonë në tregun e përbashkët, hapësira për vendet tona në ndërmarrje…”

Teksa theksoi se Shqipërisë mund t’i kenë mbetur edhe “20 vite euro-pozitivizmi”, Rama shtoi se derisa të vijë dita që Charles Michel të mbajë fjalën, nga unioni duhen ndërmarrë disa hapa konkretë.