Aktualitet Brenda zyrave të SPAK, dosjet janë kudo, arrijnë deri në tavan, muret...

Brenda zyrave të SPAK, dosjet janë kudo, arrijnë deri në tavan, muret të zbukuruara me simbole patriotike (FOTO)

Nëse nuk je nën hetim, i thirrur për të dëshmuar, apo pjesë e drejtësisë, është e vështirë të dish se çfarë ka pas xhamave të një prej godinave më hijerëndë në vend. Bëhet fjalë për zyrat e SPAK-ut.

Të pakta janë pamjet që rrjedhin nga kjo ndërtesë, dhe pse para saj qëndrojnë ditë e natë gazetarë e kameramanë të shumtë. Sot ishte ambasada amerikane në Tiranë që ka shpërndarë disa pamje nga brenda ambienteve të SPAK.

I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner është takuar sot me kreun e SPAK Altin Dumani dhe zyrtarë të tjerë teksa ka shpërndarë disa pamje nga vizita.

Ajo që bie menjëherë në sy janë zyrat e mbushura me dosje dhe materiale të ndryshme hetimore. Janë aq shumë, sa për to nuk ka vend. Në disa raste janë të vendosura në dysheme dhe herë-herë mbi raftet që arrijnë deri në tavan.

Po ashtu, Dumani dhe prokurorët e tjerë duket se janë kujdesur që t’i zbukurojnë zyrat e tyre me motive patriotike, simbole kombëtare, ku bie në sy busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.