Bota Britani, opozita kërkon llogari për përgjigjen e vonuar ndaj COVID-19

Britani, opozita kërkon llogari për përgjigjen e vonuar ndaj COVID-19

Zonat turistike, por dhe ajo financiare e Londrës ishin sërish të boshatisura ditën e mërkurë, kur kryeministri Boris Xhonson u përball me thirrjen për një hetim mbi mënyrën se si qeveria e tij po menaxhon krizën e loronavirusit.

Thirrja e opozitës ka të bëjë me dështimin e qeverisë për të shpjeguar tërësisht të dhënat mbi numrin e vdekjeve, testet e kufizuara dhe pajisjet e munguara për spitalet.

Epidemia e koronavirusit, më e rënda që nga ajo e vitit 1918, i ka lënë qeveritë në mbarë botën të përballen me popullsinë e stresuar, ekonominë në ngërç dhe sistemet shëndetësore të mbingarkuara.

Fillimisht Xhonson u përmbajt nga aprovimi i kontrolleve të rrepta të vendosura nga liderët e tjerë evropianë, por më vonë vendosi bllokadën pas përllogaritjeve që tregonin se rreth 250 mijë persona mund të vdisnin në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, edhe pas vendosjes së bllokadës, qeveria ka dhënë shpjegime kontradiktore përse dështoi të merrte të njëjtat masa si në vendet e BE-së, ndërsa ka pranuar se ka patur probleme në furnizimin e stafeve mjekësore me pajisjet e duhura mbrojtëse.

Lideri i Partisë Laburiste në opozitë, Kir Stermër ka deklaruar se qeveria ka ngurruar në dhënien e përgjigjeve dhe në njëfarë pike Mbretëria e Bashkuar duhet ta rishqyrtojë situatën.

Më herët gjatë muajit, Xhonson kaloi disa ditë në terapi intensive për shkak të infektimit nga koronavirusi. Aktualisht ai është në gjendje rikuperimi, por u ka dhënë udhëzime anëtarëve të kabinetit të tij.