Sport Broja gjithnjë e më afër Milanit, kampionët e Italisë nisin kontaktet

Broja gjithnjë e më afër Milanit, kampionët e Italisë nisin kontaktet

Milani duket gjithmonë e më tepër destinacioni i ri për sulmuesin e Kombëtares, Armando Broja. Madje, situata e fundit ka bërë që gjërat të lëvizin më shpejt. Sipas shtypit italian, klubi kuqezi e ka marrë shumë seriozisht pistën e sulmuesit 20-vjeçar.

Vështirësitë që kampionët e Italisë po hasin me rinovimin e yllit të skuadrës, Rafael Leao, kanë bërë që të mendohet për variantet e tjera. Nëse Milani dhe Leao nuk firmosin rinovimin, atëherë duhet gjetur lojtari që mund të zëvendësojë portugezin.

Milani ka në fokus dy lojtarë të Çelsit, që në anën tjetër po vëzhgon situatën me Leaon. Bëhet fjalë për Brojën dhe marokenin Ziesh. Ka edhe lajme se drejtues të Milanit kanë kontaktuar tashmë me agjentin e futbollistit shqiptar.

Broja ka qenë edhe më parë në radarët e Milanit, por në këtë moment klubi italian e ka marrë gjithçka shumë seriozisht. Kuqezinjtë janë të interesuar për profile lojtarësh të rinj të talentuar, që nuk kanë kosto shumë të larta financiare.

Broja është njëri prej tyre. Kartoni i sulmuesit të Kombëtares shqiptare vlerësohet në rreth 35 milionë euro nga Çelsi.