Kryesore Çfarë ndodhi sot në Parlament: Mungon Rama, Basha akuzon qeverinë, Berisha për...

Çfarë ndodhi sot në Parlament: Mungon Rama, Basha akuzon qeverinë, Berisha për pengmarrje dhe Ukrainën

Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës i mjaftuan më pak se 30 minuta për të bërë betejën javore në sallën e Kuvendit. Sapo ngjiti shkallët e Kuvendit, radha shkoi tek emri i tij dhe kryefjalë të diskutimit kishte sërish akuzat ndaj qeverisë.

“Shkon e vjen me një charter luksoz, ku siç e thashë, vetëm karburanti kushton 120 mijë euro minimumi dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, me përfaqësuesit e shqiptarëve, nuk e dimë ku është”, u shpreh Basha.

Në mbështetje të argumenteve, Basha kishte raportin e Transparency International për nivelin e perceptimit të korrupsionit.

“Qeveria e masakrës zgjedhore të 25 prillit, është qeveria më e korruptuar e Evropës, më e korruptuara e Ballkanit. Pse shumicës së shqiptarëve u mbetet vetëm dopio gjashta e korrupsionit së qeverisë Rama, aq më shumë që këto projekte nuk i ndalën as në pandemi, as pas tërmetit”, akuzoi kreu demokrat, ndërsa u largua para ardhjes së Sali Berishës.

Agjenda kryeministrore bëri që Edi Rama të mos ishte në sallë, por jo pa përgjigje.

“Dua t’i kujtoj kryetarit me pullë, tek pullë që po mbetet tek pullë që foltorja e Kuvendit nuk mund të bëhet pirgu i plehut ku ai derdh persiatet e tij këtu”, u shpreh Spiropali.

Pas fjalëve të zëdhënëses të Qeverisë, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla u kujdes të vinte në dukje arsyet që sipas tij e tensionojnë Bashën në parlament.

“Mos bëni zhurmë, non gratën, gratën, kyçin, bravën zgjidhini vetë. Nuk hymë ne në këtë punë”, tha Balla.

I rikthyer në parlament pas disa muajsh mungesë ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza për pastrim parash në adresë të Edi Ramës e Lulzim Bashës.

Berisha kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor duke e cilësuar maskaradë komisionin e Bashës për aferën e inceneratorëve.

“Pas 3 muajsh, zero hetim, sepse janë të zhytur. Është i zhytur si Edvin Droga, edhe Lulzim Brava. Duhet një komision hetimor i domosdoshëm për të hetuar kreun e Meduzës dhe Lul Bravën për këtë vepër penale…”

Për të provuar se si  Basha ashtu edhe i Rama janë  të përfshirë në këtë skandal, të dy i akuzoi se në  bashkëpunim me njëri-tjetrin po mbajnë të fshehur dy administratorët e inceneratorëve të shpallur në kërkim, Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan.

“A e dini që e kanë mbajtur në Lushnje të fshehur kaçak Zoton deri para dy ditësh bashkë me Gugallën dhe i kërcënonte? Kjo aferë duhet të hetohet. Brava është me dy kahë. Çfarë janë udhëtimet e tij me Zoton? Pse nuk lejonte denoncimet nga aktivistët e PD-së? Të gjitha në ujdi me kreun e Meduzës”.

“Mirë do ishte që i vetmi deputet “non grata” në këtë sallë nga aleati strategjik i SHBA të mos ishte në këtë sallë”. Kështu u shpreh Taulant Balla pas fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pasi u kthye në parlament dhe tha i duket vetja sikur është në parlamentin e Taxhikistanit sepse sipas tij kanë kufizuar të drejtën e fjalës.

Por ndër të tjera Berisha foli edhe për kërcënimin për pushtim në Ukrainë, për të cilën lideri historik i demokratëve tha se Shqipëria duhet ta ndihmojë kombin ukrainas. “Të paktën fishekë dhe municione mund t’u dërgohen atyre”, tha Berisha.

Por edhe për këtë, sapo mori fjalën e tij, Balla pati një përgjigje. “Sa i përket çështjes së fishekëve, natyrshëm që gjuha shkon gjithmonë ku dhemb dhëmbi”, tha Balla duke thënë më tej se nuk ka kohë që të merret me “”non gratën” e këtij Kuvendi”.