Aktualitet “COVID është vdekje me sy hapur” e mbijetuara nga Tirana rrëfen betejën...

“COVID është vdekje me sy hapur” e mbijetuara nga Tirana rrëfen betejën me virusin

Por si është të kalosh COVID-19? Një 45-vjeçare nga Tirana tregoi për Euronews Albania vështirësitë gjatë përballimit të sëmundjes, të cilën e quajti ‘vdekje me sy hapur’. Virusi nuk prek vetëm shëndetin, por edhe financat e pacientit.

Gruaja e cila kërkoi të mbetej anonime, tregon se u prek nga COVID-19 më 25 korrik dhe se kishte disa simptoma, por jo shumë të qarta.

“Pastaj shkova tek mjekja e lagjes. Ajo më dha një grafi, një analizë dhe më dha direkt ilaçet. Që aty fillova,” tregon e prekura nga COVID.

Ajo tha se tamponin e ka bërë pas dy javësh kur erdhi dhe ISHP me shumë vështirësi ndërkohë që mjekimin e nisi që javën e parë prej temperaturës së lartë që kishte.

Zonja foli dhe për simptomat e virusit si dhimbja e kokës, mungesa e fuqisë apo temperatura e lartë. Ajo u shpreh e pasigurt për vendin ku mund ta ketë marrë virusin dhe tregoi se ka treguar kujdes maksimal në respektimin e protokollit të sigurisë dhe në ruajtjen e distancimit social.

Pyetur nga gazetarja e Euronews Albania se ku e kishte marrë mjekimin zonja tha se fillimisht ishte mjekuar në shtëpi.

“Javën e parë e mora në shtëpi. Pas një jave shkova në Sanatorium, mezi shkova vetë privatisht dhe pse atje nuk të linin të hyje privatisht, duhej 127 të sillte, ndërkohë që 127 s’përgjigjej asnjëherë. Doktoresha më mbajti, më bëri analizat, skanerin dhe dola me pneumoni pas COVID. Atje pastaj mora mjekimin e javës së dytë. Kam marrë 4 herë mjekim. Gjilpëra pa fund, kokrra, të gjitha që i bie që unë kam harxhuar 700 mijë lekë për këtë mjekim. Spitali nuk më mbajti, më tha vazhdoje mjekimin në shtëpi”, tha e prekura nga virusi.

Ajo u shpreh e shqetësuar për koston e mjekimit dhe tha se kishte qenë tepër e vështirë për ta përballuar. Ndërkaq pagjumësia, dhimbjet e kockave, dobësim i nervave ishin simptomat të cilat ia bënë edhe më të vështirë këtë periudhë e cila zgjati rreth 3 javë.

Gjatë gjithë kësaj kohe zonja shprehu se ka pasur shumë frikë edhe për shëndetin e familjarëve të cilët i kanë shërbyer por që sidoqoftë janë kujdesur të ndjekin të gjitha masat e sigurisë.

Nuk la pa përmendur dhe lehtësimin e gëzimin e madh që ndjeu kur mori vesh se testi përfundimtar doli negativ dhe nuk ishte më e prekur nga virusi COVID-19.

Pyetur për mënyrën se si ajo e konceptonte COVID duke qenë dhe një e prekur ajo tha se njerëzit e mendojnë si lodër ndërkohë që nuk është i tillë.

“COVID-19 është vdekje me sy hapur”,- përfundoi ajo.