Bota Covid, situatë e paprecedentë në Francë, Macron: Nuk përjashtohet një izolim i...

Covid, situatë e paprecedentë në Francë, Macron: Nuk përjashtohet një izolim i dytë

“Nuk përjashtohet mundësia e një izolimi të dytë, megjithatë ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta ndaluar diçka të tillë”. Kështu deklaroi presidenti francez Emanuel Macron pas të dhënave zyrtare ditore ku vendi regjistroi 7379 raste të reja dhe 20 viktima.

Në komunikatën e autoriteteve shëndetësore franceze thuhet mes të tjerash se dinamika e avancimit të epidemisë është eksponenciale dhe se të dhënat e shtrimeve në spitale janë në rritje.

Momentalisht në spitalet franceze ndodhen 4535 persona të shtruar, 387 prej të cilëve në terapi intensive.

Prej premtes, në Paris maska është e detyruar në të gjitha ambientet e jashtme. Për këdo që shkel rregullin parashikohet gjobë 135 Euro. Jo vetëm në Paris, por edhe në qytete të tjera të mëdha si Marseja, maskat janë të detyrueshme në ambiente publike.

Mbi 1500 raste infektimesh u regjistruan këtë 24 orësh në Gjermani, ku kancelarja Merkel shpalli ashpërsimin e disa masave kundër përhapjes së Covid-19.

Merkel tha se situata që po kalon aktualisht vendi është e paqartë, ndaj bëri thirrje për shtimin e masave mbrojtëse, pasi në Shtator vendi do të përballet me një situatë të paqartë, ku gjithçka është e mundur.

Autoritetet nuk do të lejojnë tifozët në stadiume të paktën deri në fund të vitit, ndërsa fëmijët duhet të mbajnë maska në shkollë që nga klasa e parë.

E njëjta masë për fëmijët në shkolla është edhe në Spanjë, ku po ashtu ka shtim të ndjeshëm të infektimeve ditore.

Madridi zyrtar ka njoftuar që në shtator të gjithë nxënësit nga 6 vjeç do të jenë të detyruar të mbajnë maska në ambientet e shkollave.

Situata po përkeqësohet edhe në Britaninë e Madhe. Me afrimin e vjeshtës duket se asgjë nuk është më e sigurtë, pasi edhe Koreja e Jugut, që shquhej për mbajtjen nën kontroll të pandemisë, ka pasur një rritje të ndjeshme të infektimeve ditore.