Aktualitet Dalin pamjet e qelisë/ Nëna e Ilvi Metës: Ma vranë djalin dhe...

Dalin pamjet e qelisë/ Nëna e Ilvi Metës: Ma vranë djalin dhe më sollën rripin

Nëna e të riut Ilvi Meta ka folur për ngjarjen e rëndë të humbjes së jetës së djalit të saj në Komisariatin e Kavajës. Zinie Meta i tha “Euronews Albania” se djali i saj është vrarë nga policia dhe se këtë çështje duhet ta ndjekë shteti.

“Ma vranë. Megjithëse ma kapën, por ma kanë vrarë. Djali ka qenë i operuar me stomak, ma kanë vrarë. Policia. Më sollën rripin e djalit. Ato që ma kanë vrarë djalin, nuk di çfarë të them, ta shohë shteti. Unë nuk jam mësuar me vjedhje, jetoj në barake”, u shpreh ajo.

Policia e Shtetit njoftoi se 31-vjeçari dha fund jetës në Komisariatin e Kavajës, duke varur veten. Në një njoftim zyrtar për ngjarjen policia sqaroi se Ilvi Meta ishte ndaluar ditën e djeshme, pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për vjedhje.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë arrestuar nga Policia në orët e para të mëngjesit të së enjtes 3 punonjës të policisë së Kavajës. Euronews Albania publikoi edhe pamjet e dhomës së sigurisë ku Ilvi Meta ka vrarë veten sipas policisë.

Nga hetimet e para, dyshohet se Meta ka përdorur hekurat në dhomën e sigurisë për të varur veten. Avokatja e Popullit thotë se vendosja e hekurave horizontalë mbi lartësinë 60 cm nuk lejohet në bazë të rregullores.