Extra Dasmë nën bomba, kur dashuria fiton mbi frikën në Ukrainë

Dasmë nën bomba, kur dashuria fiton mbi frikën në Ukrainë

Bohdan dhe Iryna Manko vendosën të mos e anulojnë ceremoninë e tyre martesore, në qytetin perëndimor të Lvivit, pavarësisht invazionit rus në Ukrainë, me besimin se një e ardhme më e mirë e pret Ukrainën.

Veshur me fustanin e bardhë të nusërisë e me një tufë lule në dorë, nusja, Iryna, ishte pak nervoze, por u ndje mirë e rrethuar nga familjarët dhe miqtë e ngushtë, në ceremoninë tradicionale të krishterë.

“Janë kohëra të vështira, por ne jemi optimistë. Ne po luftojmë dhe do të fitojmë. Do të ndihmojmë me gjithçka mundemi për të luftuar ndaj pushtimit rus dhe Ukraina do të fitojë. Nuk e anuluam dasmën tonë, me shpresën se një e ardhme më e mirë na pret, për të rindërtuar vendin e për të jetuar të lumtur këtu. Ndaj, ndihemi shpresëplotë”, tha dhëndri.

Çifti shpresonte para luftës që muajin e mjaltit ta kalonte në Romë apo ndonjë qytet tjetër të Europës, por planet i kanë shtyrë për shkak të luftës. Në vend të Romës, do të qëndrojnë në Lviv, për të ndihmuar bashkë me të tjerët, me gjithçka munden për t’i dhënë fund luftës.

“Nuk kishim ndonjë plan konkret, por shpresonim të shkonim në Romë ndoshta, të kalonim atje muajin e mjaltit. Tani është e pamundur, ndaj do duhet të qëndrojmë këtu. Do ndihmojmë me gjithçka të mundemi, me shpresën që ndoshta muajin e ardhshëm do organizojmë për vete diçka të bukur”, shtoi nusja.