Sport Dështimi i Superkupës së Spanjës në Arabi: 90% e biletave s’janë shitur,...

Dështimi i Superkupës së Spanjës në Arabi: 90% e biletave s’janë shitur, Valencia me 26 tifozë

Prej disa kohësh, futbolli ka përdorur nevojën ekonomike për të kërkuar burime të reja dhe shumë ndeshje kanë filluar të zhvillohen në vende që nuk kanë traditë në futboll. Vetëm në vitin 2019, u zhvillua Kupa e Botës për klube në Katar, Superkupa e Italisë në Arabinë Saudite apo edhe ajo franceze në Shenzhen të Kinës. Prandaj, është aspak befasuese që Spanja gjithashtu dëshironte të provonte emocionin e një turneu jashtë vendit dhe zgjodhi edicionin e parë të Super Kupës së re. Më parë, trofeu vendosej pas dy ndeshjeve finale me sistem vajtje-ardhje, por tani është bërë një mini-turne që këtë vit do të zhvillohet në Arabinë Saudite. Por praktikisht… pa publik.

Do të ndeshen Barcelona, kampion i Spanjës, Valencia, fituesi i Copa del Rey, Atletico Madrid dhe Real, përkatësisht i dyti dhe i treti i edicionit të fundit të La Liga. Në teori, një seri ndeshjesh që nuk duhen humbur. Në praktikë, një dështim i madh. Dy ditë para fillimit të gjysmëfinales, shumica e biletave janë ende të pashitura. Dhe me “shumicë” nënkuptojmë 91% të biletave, siç raportohet nga El Mundo. Dhe pothuajse të gjitha biletat që janë shitur, janë ato të finales.

Valencia ka shitur vetëm 26 bileta për gjysmëfinalen kundër Real Madrid. As ndeshja tjetër nuk ka ndonjë sukses, duke marrë parasysh që Atletico Madrid arriti të shesë vetëm 50 për ndeshjen kundër Barcelonës. Edhe Los Blancos, mjaft të ndjekur në Lindjen e Mesme, ka shitur vetëm 700 bileta, kundrejt 300 të Barcelonës. Përfundimisht, një projekt që mbase nga pikëpamja e të drejtave televizive është fitimprurës për La Liga, por që padyshim i papëlqyeshëm për tifozët. Dhe është pikërisht kostoja e lartë që i ka ndaluar tifozët të udhëtojnë në Arabinë Saudite. Midis fluturimeve, akomodimit dhe biletave, pjesëmarrja në dy gjysmëfinalet dhe finalen do të kushtonte rreth 1000 euro.