Politika Një shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ministër i Jashtëm i Kosovës

Një shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ministër i Jashtëm i Kosovës

Blerim Reka

Ndërkohë që Shqipëria ka në krye të diplomacisë një ministër nga Kosova, vetë Kosova mund të ketë një ministër të jashtëm nga Maqedonia e Veriut.

Të paktën kështu ka planifikuar kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili ka propozuar emrin e Blerim Rekës në krye të Ministrisë së Jashtme.

Reka, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Vetëvendosjes në Shkup, ishte kandidati i pavarur për president në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut dhe i vetmi shqiptar në garë për këtë post.

Reka njihet për marrëdhëniet miqësore me Albin Kurtin dhe lidhjet e forta me Kosovën, ku hodhi hapat e parë të karrierës së tij ndërsa përzgjedhja e tij nuk do të ishte asgjë tjetër veçse implementimi i modelit “Cakaj” edhe në Kosovë.

Ashtu si Gent Cakaj, i cili ishte ministri i parë nga Kosova në Shqipëri, edhe Reka mund të jetë ministri i parë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë. Nëse konfirmohet Reka do të ketë një nga detyrat më të vështira të qeverisë së ardhshme të Kosovës: mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë. Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, nuk u angazhua plotësisht për këtë dialog, pasi udhëheqjen e tij e mori Presidenti Thaçi, por Kurti e ka bërë të qartë se sapo të vije në pushtet, bisedimet me Serbinë do të udhëhiqen nga qeveria.

Zgjedhja e Rekës nuk është e rastësishme, pasi diplomati ka studiuar në Prishtinë dhe e njeh mirë dinamikën politike të Kosovës. Ai duket të jetë zgjidhja e duhur edhe për një nga sfidat më të mëdha të Kosovës: liberalizimin e vizave.

Nga qershori i vitit 2006 deri më korrik të vitit 2010 ai ka qenë ambasador dhe shef misioni për Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Europian, ku ka punuar veçanërisht për liberalizimin e vizave për Maqedoninë e Veriut. Duke marrë parasysh eksperiencën e tij në këtë drejtim dhe ngërçin në të cilin ndodhet liberalizimi i vizave me Kosovës, Kurti duket se ka vendosur që ky mision të drejtohet nga Reka.

Për momentin diplomati mban postin e rektorit në Universitetin e Europës Juglindore (UEJL), që nga në shtatori i vitit 2010. Përpara se të emërohej në Bruksel, Reka ka punuar në UEJL si profesor gjatë vitit 2005-2006 dhe nga viti 2003 deri 2006 ka qenë dekan i fakultetit të administratës publike.

Në karrierën e tij, ai ka pasur mbi dhjetëra publike ku ka qenë autor apo bashkautor me kolegë tjerë. Në studimet dhe librat e tij, Reka flet për politikën, gjeopolitikën, drejtësia në BE, studimet evropiane dhe rolin e UNMIK-ut në Kosovë.

Nga viti 2002, Reka ka qenë profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Drejtës së BE dhe është një ekspert i marrëdhënieve me BE-në, por edhe atyre rajonale. Por karriera e Blerim Rekës i ka pasur fillimet në Prishtinë, ku studioi dhe punoi për disa vite si gazetar.

Pasi mbaroi shkollën e Mesme në Shkup, Reka u zhvendos në kryeqytetin e Kosovës ku diplomua për jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës; atje mbrojti dhe doktoraturën në fushën e së drejtës ndërkombëtare. Karrierën si gazetar e nisi në gazetën “Rilindja” të Prishtinës dhe me mbylljen e saj, u emërua drejtor i gazetës “Bujku”.

Reka ka punuar po ashtu edhe si korrespondent i BBC-së për Kosovën dhe është themelues dhe kryeredaktor i revistës juridike “Kosova Law Review” si dhe i revistës shkencore “Euro-Atlantic Review”. Më pas ai do të rikthehej në Shkup për të nisur karrierën akademike. Reka punoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës. Nga pena e tij, kanë dalë disa vepra studimore për marrëdhëniet rajonale dhe në veçanti Kosovën. Tanimë Reka duket se do të rikthehet sërish në Prishtinë jo si gazetar, por si ministër i Jashtëm, në një kohë kur Kosovën e presin sfida të mëdha.