Aktualitet Detajet të reja nga gjendja shëndetësore/ Fatos Nano në orë të vështira...

Detajet të reja nga gjendja shëndetësore/ Fatos Nano në orë të vështira për jetën

Fatos Nano vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mediat raportojnë se mjekët që po ndjekin ish-kryeministrin kanë ndryshuar strategji. Ata e kanë hequr nga intubimi dhe kanë vendosur ta furnizojnë me oksigjen përmes një tubi që lidhet direkt me trakenë, procedurë që njihet me emrin Trakeostomi. Mjekët kanë bërë një ndërhyrje duke hapur rrugën e sipërme respiratore. Nëpërmjet këtij tubi të vendosur në qafë, lejohet kalimi i ajrit dhe oksigjenit drejt mushkërisë nëpërmjet aparatit respirator.

Kjo është një procedurë e nevojshme tek pacientët që kërkojnë ventilim të zgjatur artificial. Sipas mjekëve, ai është i vetëdijshëm, por nuk mundet të artikulojë.

Fatos Nano u shtrua ne spitalin privat në 24 gusht.

Mbrëmjen e së mërkurës ish-kryeministri u fut sërish në intubim, por kjo procedurë nuk solli përmirësim të gjendjes. Ndaj mjekët vendosën kështu që të aplikonin Trakeostominë.

Fatos Nano vuan nga insuficenca respiratore, pamjaftueshmëri e mushkërisë për të funksionuar normalisht. Ish-kryeministrit i është kthyer problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK që nënkupton pamundësi të mushkërisë për të kryer funksionin e saj.

Brenda këtij viti është shtruar disa herë në spital për të marrë shërbimin mjekësor.

Teksa Fatos Nano po përballet me gjendjen e vështirë shëndetësore, kryeministri Edi Rama e ka nderuar me medaljen për mirënjohjen publike, duke i vlerësuar kontributin si ish-kryeministër i vendit.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha i ka uruar shërim të shpejtë liderit historik të PS-së Fatos Nano.

“Me gjithë sinqeritetin dhe me gjithë zemër, i uroj Fatos Nanos, shërim të shpejtë dhe të plotë! Ta kalojë këtë situatë jo të lehtë dhe të rikthehet në familjen e tij”, tha Berisha ditën e sotme.

Fatos Nano ka qenë 3 herë kryeministër i vendit në periudha të ndryshme. Ai u largua nga pushteti në vitin 2005 dhe si rrjedhojë dhe nga drejtimi i partisë.