Aktualitet Dorëzohet autori i atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake

Dorëzohet autori i atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake

Autori i atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj, është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës. Autoritetet i kanë vënë prangat Ilirjan Hasanajt dhe i riu mësohet se ka pranuar krimin.

Ilirjan Hasanaj është personi që qëlloi në drejtim të kreut të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe në rrethrrotullimin e “5 Heronjve” në Shkodër, duke e lënë të plagosur atë së bashku me të atin 70 vjeç.

19-vjeçari, i cili është djali i një ish-efektivi të policisë u identifikua nga rrobat dhe një celulari që ka lënë 500 metra larg vendit të atentatit bashkë me motoçikletën e vjedhur që përdori. Ai nuk ka precedentë penalë, por autoritetet dyshojnë se është përdorur si vrasës me pagesë.

Sipas policisë skema e atentatit dëshmon për një atentat të mirëmenduar çka hedh poshtë pretendimet për ngatërrim objektivi. Kjo edhe për faktin se polici bashkiak po udhëtonte me makinën e  punës, lehtësisht e identifikueshme.

Në momentin e ngjarjes në makinë së bashku me Mentor Hasanajn dhe babain e tij ndodhej edhe bashkëshortja e shefit të policisë bashkiake, e cila fatmirësisht u shpëtoi plumbave.

Pavarësisht se kanë të njëjtin mbiemër mes autorit dhe drejtorit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe nuk ka asnjë lidhje farefisnore.