Aktualitet Dy shqiptarë po luftojnë në Ukrainë, komandanti i Legjionit të Huaj: Presim...

Dy shqiptarë po luftojnë në Ukrainë, komandanti i Legjionit të Huaj: Presim edhe 30 të tjerë

Mamuka Mamulashvili, komandant i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj në Ukrainë thotë se deri tani është një numër prej vetëm dy shqiptarësh që kanë shkuar në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.

Mamulashvili gjatë një interviste për Euronews Albania tha se janë në pritje të mbërritjes së rreth 30 shqiptarëve të tjerë për t’iu bashkuar luftës në Ukrainë të cilët kanë aplikuar për t’iu bashkuar luftimeve përmes kontakteve nga rrjetet sociale.

“Janë dy vullnetarë shqiptarë që po luftojnë me ne. Kanë ardhur këtu për të ndihmuar Ukrainasit për të mbrojtur vendin e tyre. Kanë ardhur pas nisjes së konfliktit. Ka aplikime nga Shqipëria, por ende nuk kanë ardhur. Ka gati 20-30 aplikime”, deklaroi ai.

Komandant i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj shprehet se asnjë prej vullnetarëve nuk paguhet por kanë shkuar atje për idealin e demokracisë dhe për të mbrojtur Ukrainën nga gjenocidi rus.

“Siç kanë pasur shqiptarët gjenocidin e tyre e njëjta gjë po ndodh këtu. Rusët me qëllim po vrasin gratë dhe fëmijët në një shkallë të gjerë”, tha ai.

Luftëtari shprehet se deri tani nuk kanë pasur asnjë humbje jete në grupin e tyre pavarësisht se pozicionet e tyre janë bombarduar gati 30 herë nga forcat ruse me helikopterë.

Mamulashvili thotë se Rusia po përdor në Ukrainë raketa balistike duke bombarduar qëllimisht zona të banuara.

Ai tregon se që 14 vjeç është kapur nga forcat ruse gjatë pushtimit të Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe është mbajtur në disa burgje në Rusi. Prej 8 vitesh lufton në Ukrainë që kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014.