Sport Dybala: E dua Juven, thuhen gënjeshtra për mua. Ja e vërteta e...

Dybala: E dua Juven, thuhen gënjeshtra për mua. Ja e vërteta e kontratës

Paulo Dybala u rikthye te goli pas pesë muajsh agjërimi. Kaq shumë kishin kaluar që nga goli i fundit në Serie A me Juventusin. Në ndeshjen kundër Genoa, numri 10 bardhezi gjeti qetësinë. I intervistuar nga “Sky Sport” pas ndeshjes, argjentinasi theksoi gjendjen e tij psikologjike në vështirësi. Deri në golin, që i ktheu qetësinë:

“Më duhej, kishte aq shumë ndeshje që nuk isha i lumtur. Nuk isha vetvetja. Sezonin e kaluar pata një ecuri të pabesueshme, ndërsa këtë edicion të kundërtën. Shikova gjithçka, mendova për një mijë gjëra dhe ky ishte gabimi, sepse duhej të hyja i qetë në fushë”.

Gjithashtu, falë Andrea Pirlos dhe besimit që i dha edhe në momentet më të vështira të sezonit: “Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme me trajnerin. Ne gjithmonë flasim. Ai më dha shumë besim, kur të tjerët më fundosën. I jam borxhli, dua të jap shumë për të”.

Dybala gjithashtu foli për çështjen e rinovimit të kontratës, e cila i skadon në qershor 2022. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për para: “Për fat të keq, shumë gjëra thuhen, që nuk janë fare të vërteta. Agjenti im ka qenë në Torino për një kohë të gjatë dhe nuk është thirrur, prandaj më vjen keq kur bëhet fjalë për para dhe shifra të shpikura. Do të ishte mirë të themi të vërtetën. Situata në të cilën jemi tani i vë njerëzit kundër meje, me gjithë dashurinë që kam për Juventusin. Unë e dua Juven. Gjithmonë e kam thënë. Këto gjëra janë thënë për t’i kthyer njerëzit kundër meje. Unë jam shumë besnik ndaj këtij klubi. Dhe njerëzit e dinë këtë”.