Bota Erdogan: Nëse preken forcat turke, do t’i sulmojmë ato siriane kudo që...

Erdogan: Nëse preken forcat turke, do t’i sulmojmë ato siriane kudo që të ndodhen

Turqia do të sulmojë forcat siriane kudo që të ndodhen, nëse preken forcat turke, paralajmëroi presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Unë deklaroj këtu se, nga sot e tutje, ne do të godasim forcat e regjimit kudo, pa respektuar kufijtë e Idlibit dhe pa respektuar marrëveshjen e Soçit, në rast se ushtarët tanë dëmtohen edhe në mënyrën më të vogël”, shtoi ai.

Komentet e presidentit turk vijnë pasi pesë ushtarë turq u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm nga forcat e regjimit sirian në Idlib, pas një sulmi të ngjashëm të javës së kaluar i cili po ashtu la të vrarë shtatë ushtarë dhe një kontraktues civil që punonte me ushtrinë turke.

Trupat turke ndodhen në Idlibin, formalisht një zonë armëpushimi nën një marrëveshje të arritur midis Turqisë dhe Rusisë, si pjesë e një misioni kundërterrorist dhe të paqes.

Turqia u kundërpërgjigj për dy sulmet, duke goditur një sërë objektivash dhe duke vrarë rreth 200 trupa të regjimit sirian.

Idlibi ka qenë një bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura kundërqeveritare që nga shpërthimi i luftës civile siriane në vitin 2011.

Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan ta kthejnë Idlibin në një zonë deeskalimi në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.

Por që nga ajo kohë, mbi 1.800 civilë janë vrarë në sulmet nga regjimi dhe forcat ruse, duke shkelur të dy marrëveshjet për armëpushim, atë të vitit 2018 dhe atë të 12 janarit të këtij viti.