Bota Fotoja e deputetes së re ukrainase me kallashnikov bën xhiron e botës:...

Fotoja e deputetes së re ukrainase me kallashnikov bën xhiron e botës: Nëse duhet, do ta përdor

“Pranë meje kam një armë zjarri, nëse do të jetë nevoja, jam e gatshme ta përdor”. Fjalë të Inna Sovsun, deputete e partisë opozitare Holos (Zëri), që ka marrë vendimin të fotografohet pranë një kallashnikovi, foto që shumë shpejt bëri xhiron e botës. “Unë jam pedagoge”, ka shpjeguar deputetja për Adnkronos. “Jap mësim në universitet prej 12 vitesh. Dhe në këtë mënyrë nuk kam asnjë eksperiencë ushtarake, nuk kisha menduar kurrë të posedoja një armë dhe nuk jam stërvitur kurrë ta përdor”. Por deputetja kujton se kur shpërtheu lufta “mbajtëm një seancë urgjente në Parlament” dhe “më pas na furnizuan me armë për t’u mbrojtur, për të mbrojtur qytetin tonë. Pothuajse të gjithë anëtarët e Parlamentit morën armë dhe disa nga ata po i përdorin në këto momente”, rrëfen ajo, duke saktësuar se i është bashkuar njësisë për mbrojtjen e territorit.

“Puna ime tani – shpjegon – është të flas me publikun ndërkombëtar për t’i shpjeguar mizoritë që po bën Putin këtu në Ukrainë. E di që kështu mund të jem më e nevojshme dhe i kam aftësitë, por nëse duhet, nëse është e nevojshme, do ta përdor armën sepse unë nuk do të dorëzohem. Unë do të rri këtu”. Në këto katër ditë që nga nisja e pandemisë, shpjegon deputetja, shumë njerëz janë ofruar vullnetarë për t’u bashkuar me njësitë e mbrojtjes territoriale. “Shumë prej tyre nuk janë stërvitur dhe sinqerisht e vetmja herë që kam qarë në katër ditët e fundit ishte kur pashë radhën e njerëzve përpara zyrës së rekrutimit të ushtrisë. Aty pashë shpirtin e kombit”.