Politika Shqipëria i bashkohet BE-së, i vendos pesë sanksione Rusisë

Shqipëria i bashkohet BE-së, i vendos pesë sanksione Rusisë

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka prezantoi sanksionet e marra nga Shqipëria për Rusinë, pasi kjo e fundit po sulmon ushtarakisht Ukrainën prej 4 ditësh.

Xhaçka tha se Shqipëria iu është bashkuar masave shtrënguese të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, përfshirë ngrirjen e aseteve bankare.

“Këto masa kanë karakter individual dhe ekonomik”, sqaroi ministrja.

“Nga sot, hapësira ajrore e Shqipërisë mbyllet për të gjithë operatorët ajrorë rusë. Shqipëria s’merr pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse, deri në fund të pushtimit. Po punojmë për ofrimin e ndihmave materiale ushtarake dhe spitalore për Ukrainën”, tha Xhaçka.

Sanksionet e Shqipërisë ndaj Rusisë:

-Shkrirje e aseteve bankare të 654 individëve, nisur nga Putini, si edhe të 56 subjekteve.

-Sanksione ekonomike që përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji.

-Shqipëria mbyll hapësirën ajrore për kompanitë ajrore ruse.

-Shqipëria nuk do të luajë asnjë ndeshje sportive kundër Kombëtares së Rusisë, me të cilën Shqipëria kishte një ndeshje të programuar në qershor të 2022.

-Nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri personat e listuar nga BE.

Xhaçka tha se po hartohet baza ligjore për zbatimin e këtyre masave shtrënguese, ndërsa rezoluta e propozuar nga Shqipëria do të votohet për t’u diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme.

Ajo njoftoi po ashtu se po punohet për t’i ofruar Ukrainës ndihma spitalore dhe ushtarake.