Bota Fundjavë protestash të dhunshme në SHBA e Francë

Fundjavë protestash të dhunshme në SHBA e Francë

Manifestime të dhunshme pro-Trump në SHBA. Francezët kundër ligjit për sigurinë

Fundjavë protestash të dhunshme në Shtetet e Bashkuara dhe Francë.

Në Uashington, policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të ndarë disa mbështetësit pro Trump, përfshirë disa anëtarë të grupit të ekstremit të djathtë Proud Boys që u përplasën edhe manifestues të grupimeve të majta të Antifa.

Përleshje pati në shumë qytete amerikane përfshirë në kryeqytetin Uashington, ku policia ndërhyri dhunshëm për të ndalur përplasjet mes grupeve. Vetëm në kryeqytet pati 4 të plagosur dhe 20 të arrestuar.

Ndërhyrja ishte më e dhunshme në Paris, ku policia përdori shkopinj gome, topa me ujë e gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Rreth 150 persona u arrestuan gjatë manifestimit kundër ligjit të ri për sigurinë, që parashikon ndëshkime për personat që xhirojnë dhe publikojnë në rrjete sociale video të operacioneve të policisë ku ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve.

Ligji synon të frenojë indinjatën popullore që shkakton publikimi i pamjeve. Ky ligj është kritikuar jo vetëm nga opozita por edhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut.