Kryesore Gjermania do të lehtësojë masat kufizuese

Gjermania do të lehtësojë masat kufizuese

Gjermania, që ka hyrë në recesion ekonomik për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, do të lehtësojë masat e saj kufizuese duke rihapur dyqanet dhe, nga 4 maji, edhe shkollat e saj.

“Tubimet e mëdha siç janë garat sportive apo koncertet do të qëndrojnë të ndaluara deri të paktën më 31 gusht”, njoftoi kancelarja Angela Merkel pas një takimi me drejtuesit e 16 landeve.

“Suksesi i Gjermanisë kundër Covid-19 mbetet ende i brishtë”, paralajmëroi kancelarja në një konferencë për shtyp.

“Takimet e më shumë se dy personave do të mbeten të ndaluara deri më 3 maj dhe rregullat e distancimit të të paktën 1,5 metrave do të mbeten në fuqi”, shtoi ajo.

Shkollat ​​mund të fillojnë rihapjen në 4 maj.

Për të shoqëruar këtë lehtësim të rregullave, qeveria rekomandon fuqimisht mbajtjen e maskave ​​në dyqane dhe transportin publik.

Gjermania ka qenë në recesion “që nga marsi”, tha sot Ministra gjermane e Ekonomisë duke paralajmëruar se kjo situatë mund të zgjasë “deri në mesin e vitit” dhe gjithashtu duke llogaritur në përkeqësimin e situatës në prill.

Tashmë e dobësuar shumë gjatë gjithë vitit 2019 nga tensionet e tregtisë ndërkombëtare, të cilat kanë minuar mundësinë e një modeli ekonomik të bazuar në eksporte, ekonomia gjermane tani po ndjen edhe krizën e koronavirusit.

PBB gjermane pritet të ulet me 10% në tremujorin e dytë,e padëgjuar deri tani, sipas parashikimeve të përbashkëta të instituteve kryesore ekonomike, të botuara javën e kaluar.

Sipas të njëjtave burime, niveli i papunësisë duhet të rritet në 5.9% të popullsisë aktive, ose 2.5 milionë njerëz të papunë.