Rajoni Greqi: Tsipras do ta provojë sërish

Greqi: Tsipras do ta provojë sërish

A e fut në krizë dorëheqja e ministrit të tij të Mbrojtjes kryeministrin grek Alexis Tsipras? Politikani i majtë ka sidoqoftë shanse të mira të fitojë votën e mosbesimit në Parlament.

Jannis Papadimitriou – DW

Ndarja ishte e shpejtë dhe pa dhimbje, por e përgatitur mirë. Pas vizitës në kishë, ministri i Mbrojtjes doli përpara kamerave të dielën (13.01),lidhur me takimin me kryeministrin e majtë Alexis Tsipras. Biseda zgjati vetëm dyzet minuta. Në deklarata të veçanta, të dy politikanët falënderuan njeri-tjetrin për bashkëpunimin dhe madje shprehën keqardhje për mbarimin e këtij bashkëpunimi. Kammenos foli për një “ditë historike” për partinë e tij populiste të djathtë ANEL dhe theksoi, se nuk kishte asnjë opsion tjetër përveç. largimit nga qeveria. Arsyeja është kompromisi më i fundit në debatin për Maqedoninë, të cilin Tsiprasi e mbron plot energji dhe që synon t´ia paraqesë parlamentit sa më parë.

Kammenos deklaroi se ai ka thënë gjithmonë, se nuk do të pranojë asnjë kompromis lidhur me debatin për emrin e fqinjit verior për sa kohë përmendet koncepti “Maqedoni”. Tani ai do t´i bëjë thirrje të gjitha “forcave patriotike” të forcojnë partinë e tij për të penguar kompromisin me vendin fqinj. Në rastin më ekstrem ai do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë Adminsitrative të Greqisë dhe do të nxjerrë në rrugë pasuesit e tij. Ish-ministrin e Jashtëm, Nikos Kotzias, që kishte marrë pjesë në Marrëveshjen për Maqedoninë, ai e akuzoi që ka cënuar “sovranitetin kombëtar”. Kotzias nga ana e tij tha (13.01) se Kammenos duhet të ishte larguar më parë.

Vota e mosbesimit brenda javës

Çfarë thotë kryeministri? Pas takimit me Kammenos Aleksis Tsipras deklaroi se do të kërkojë votëbesimin në ditët në vazhdim. Të martën (15.01) do të fillojë debati dhe më së vonti të enjten (17.01) do të dalë rezultati.

Partia e Majtë Syriza e Tsiprasit ka 145 nga 300 deputetët në Parlament. Megjithatë Tsiprasi duket optimist, se do të ketë pas vehtes shumicën e domosdoshme duke marrë vota nga deputetë të pavarur dhe madje edhe nga partia ANEL. Këtë rrezik duket se e ka kuptuar edhe Kammenosi, i cili kërcënoi me përjashtim nga partia të atyre deputetë që do të votonin pro Tsiprasit në këmbim të një posti qeveritar.

Politologu Levteris Koussoulis mendon se ka shumë mundësi që Tsipras të fitojë në parlament votëbesimin dhe se parlamentarë të veçantë të ANEL-it do të votojnë për të. Largmi i Kammenos-it nuk ishte aq i dhimbshëm sa u mundua të paraqitej. Kështu të dy politikanët do të mund të përqendrohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kammenos do ta bëjë çështjen e Maqedonisë temë qendrore të fushatës elektorale kurse Tsiprasi do të kthehet në temat e tij tradicionale. Nuk është çudi që pas zgjedhjeve të dyja partitë edhe pse jo të njëjta, të bashkëpunojnë përsëri, tha Koussoulis.

Marrëveshja për Maqedoninë pason

Nëse Tsprasi do të fitojë votëbesimin në parlament ai do ta sjellë për votim Marrëveshjen për Maqedoninë. Në këtë votim ai nuk mund të shpresojë në vota nga deputetë të partisë ANEL. Megjithatë është e mundur që deputetë të veçantë nga partia sozial-liberale “To Potami” ose edhe parlamentarë të pavarur të votojnë pro kompromisit me vendin fqinj. Edhe kryetari i konservatorëve në opozitë, Mitsotakis ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se është kundër kompromisit të arritur së fundmi. Nëse marrëveshja do të hidhet poshtë nga parlamenti, Tsiprasit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Politologu Koussoulis mendon se strategjia e kryetarit të qeverisë janë zgjedhjet e parakohshme edhe nëse çdo gjë shkon sipas planit dhe marrëveshja për Maqedoninë aprovohet nga parlamenti. “Tsiprasi nuk do të presë deri në zgjedhjet e rradhës parlamentare që duhet të mbahen në vjeshtë. Më së voni në maj do të ketë në Greqi zgjedhje parlamentare”, beson politologu.