Histori Historia e rrallë e koncesionit të fanarëve në Shqipërinë e Perandorisë Osmane,...

Historia e rrallë e koncesionit të fanarëve në Shqipërinë e Perandorisë Osmane, i pari dhe më jetëgjati në vend

Nga Kreshnik Kuçaj/SCAN

Ndërsa po zhvillohej Lufta e Krimesë (1853-1856), një tregtar francez anijesh i quajtur Marius Michel, i cili kishte udhëtuar vazhdimisht mes Marsejës dhe Lindjes së Afërt, pësoi një aksident me anijen e tij në detin Mesdhe.

Duke marrë shkas nga ky aksident, ai mori iniciativën që t’i shkruante Perandorit francez Napoleoni III lidhur me nevojën e ndërtimit të një rrjeti ndriçimi për anijet në të gjithë vijën bregdetare të territoreve që ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Në kushtet kur Perandori donte të zgjeronte ndikimin francez në Perandorinë Osmane, kërkesa u mor parasysh dhe iu kalua për negociim ambasadës franceze në Stamboll.

Ambasadori francez në Portën e Lartë arriti të bindi Sulltanin që të ndërtonte një rrjet fanaresh për anijet përgjatë brigjeve të Bosforit. Në këtë mënyrë, Michel u bë drejtues i “Administration générale des Phares de l’Empire Ottoman (Administratës së Përgjithshme të Fareve i Perandorisë Osmane)”.

Pasi ndërtoi një numër të madh fanarësh, ai krijoi një kompani që ofronte pikërisht këtë shërbim. Kompaninë, ai e krijoi me një tregtar tjetër, të quajtur Camille Collas. Kompania u emërtua “Collas and Michel Co”. Në vitin 1860, kompania mori koncesionin strategjik të Francës në Perandorinë Osmane.

Më financat e saj, kompania ndërtoi fanare dhe zyra nëpër të gjithë vijën bregdetare të vendeve që bënin pjesë në Perandorinë Osmane. Anijet paguanin një tarifë, që mblidhej nga këto zyra e një pjesë të të ardhurave i merrte koncesionari dhe pjesën tjetër e merrte arka e Perandorisë.

Ndryshe nga koncesionet e zakonshme, në këtë rast kishim të bënim me një Partneritet Publik/Privat. Koncesioni në fjalë parashikonte ndërtimin e mirëmbajtjen e sistemit të dritave në brigjet e Perandorisë Osmane në Mesdhe, Dardanele dhe në Detin e Zi.

Kontrata e parë u dha për 20 vite por në vitin 1879, 5 vite para skadencës, u shty me 15 vite të tjera.

Në vitin 1894 (5 vite para se të skadonte afati i dytë), koncesioni u shty sërish me 25 vite të tjera, duke vendosur si afat skadence vitin 1924. Sërish në vitin 1913, koncesioni u shty për 25 vite të tjera, deri në vitin 1949.

Në vitin 1935, shteti i ri turk i dalë nga Perandoria Osmane njoftoi prishjen e koncesionit dhe vendosi të blejë rrjetin e fanarëve, që e mori në administrim pak vite më vonë. Për kompaninë “Collas & Michel”, kjo shënoi fundin e një historie të pazakontë partneriteti publik/privat që zgjati 93 vite e nga i cili përfitoi si arka e shtetit, ashtu edhe privati.

Shqipëria dhe Koncesioni i Fanarëve

Në total, kompania franceze kishte ndërtuar 13 linja fanarësh ndriçues në vijat bregdetare që preknin Perandorinë Osmane. E një nga këto 13 vija, ishte edhe vija bregdetare e Shqipërisë. Ashtu si në vende të tjera, në Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe në Shkodër (Bunë) u ndërtuan fanare që u shërbenin anijeve për t’u orientuar natën.

Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, qeveria e Ismail Qemalit nuk e njohu kontratën e as zgjatimet e saj të 1913, sikurse kishte bërë me shumë kontrata të tjera, mes të cilave edhe për monopolet e kripës, peshkimit apo duhanit që administroheshin nga Administrata e Borxhit Publik Osman.

Pavarësisht se Shqipëria shkëputi marrëdhëniet financiare dhe ligjore me Perandorinë Osmane, Administrata e Fareve dhe kompania franceze vijoi të ushtrojë veprimtarinë e saj në vijën bregdetare shqiptare, ku kisha zyrat e saj që vijonin të mblidhnin tarifat nga anijet që kalonin.

Këto të ardhura në fakt nuk arritën të arkëtoheshin nga qeveria e Vlorës dhe deri në vitin 1920 kur përfundoi Lufta e Parë Botërore, nuk u arkëtuan por shkonin në buxhetin e kompanisë franceze që kishte marrë koncesionin/PPP 1 shekullor.

Një arsye tjetër ishte se nga Lufta e Parë Botërore, disa nga fanarët që ishin vendosur në brigjet shqiptare u shkatërruan dhe kompania franceze nuk kishte ardhur që t’i zëvëndësonte ato.

Në fillimin e viteve ’20 qeveria shqiptare bën negociata me kompaninë franceze por kërkon që kompania të zbatojë kushtet e kontratës dhe të rindërtojë fanarët e dëmtuar nga lufta.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare nuk merr përsipër zhdëmtimin e fanarëve të dëmtuar gjatë periudhës së Luftës, kur vendi administrohej nga ushtritë e huaja. Në këtë mënyrë, nis një konflikt juridik mes shtetit shqiptar dhe kompanisë franceze.

Në këto negociata, qeveria shqiptar autorizoi në vitin 1921 ministrin e Jashtëm që të bënte marrëveshje me kompaninnë franceze “Michele & Collas” ku shteti shqiptar të merrte në administrim fanarët që do të ndërtoheshin nga kompania franceze si detyrim ndaj kontratës së koncesionit që kishte që në periudhën e Perandorisë Osmane. Kërkesa e qeverisë shqiptare ishte që kompania të rregullonte fanarët në Sarandë, Himarë, Durrës, Seman, Shëngjin dhe Bunë.

Pas 5 muajsh negociata e diskutimesh, në vitin 1922, qeveria shqiptare vendos që të mos njohë asnjë detyrim të mëparshëm por pranon që të rinegociojë me kompaninë franceze koncesionin e fanarëve për bregdetin shqiptar. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare kërkon të rinegociojë koncesionin me kushtet e saj dhe jo me ato të Perandorisë Osmane, njësoj sikurse kishte ndodhur më herët edhe në Greqi.

Diskutimet zgjatën 5 vite, dhe në vitin 1927 çështja e fenerëve doli sërish në planin e qeverisë shqiptare. Në këtë peridhë, qeveria shqiptare e kryesuar nga Iljaz Vrioni studio dy projekte koncesionesh; i pari nga francezët “Michel& Collas” dhe i dyta nga shoqëria italiane “Fari& Fanali”. Kushtet e kësaj të fundit, konsiderohen si më të përshtatshme për shtetin shqiptar, që kishte nisur të afrohej ndjeshëm politikisht e ekonomikisht me Italinë.

Megjithatë, ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë kur ishin dhënë koncesione shfrytëzimi, këtë herë shteti shqiptar vendos të ndjekë praktikën e Partneritetit Publik Privat.

PPP francez për krijimin e “Administratës së Fareve të Shqypnis’” për dritësimin e anëdetit shqiptar

Në vitin 1927, qeveria e kryesuar nga Iljaz Vrioni miratoi projekti kontratën me kompaninë franceze “Michel& Collas” por që në fakt nuk u finalizua dot. Megjithatë ky projekt mund të konsiderohet si një ndër projektet e para për një koncesion ndryshe, për krijimin e një partneritetit publik/privat.

Referuar projektit që qeveria shqiptare kishte përgatitur kompania franceze duhej të ndërtonte me fondet e saj faret ndriçuese në disa pika të bregdetit shqiptar; për “me vazhdue me sigurue dritsimin e anëdetit të Shqipërisë”.

Faret do të ndërtoheshin e rindërtoheshin në Durrës (Guri i Bardhë), Shëngjin (në vendin e vjetër), Rodon (në vendin e vjetër), në Sarandë, në Vlorë (në vendin e vjetër), në Seman (në vendin e vjetër) ndërsa në “në pikat e cekëta t’anëdetit shqiptar kanë m’u vue boe-dritësuese”.

Koncesioni parashikohej të kishte një kohëzgjatje 25 vjeçare.

Shteti shqiptar ofronte falas në përdorim tokat e nevojshme ndërsa kompania duhej të bënte investimet që duheshin. Koncesioni do të kontrollohej nga një Inspektor i Qeverisë Shqiptare.

Me përjashtim të teknikëve, i gjithë personeli duhej të zgjidhej mes shtetasve shqiptarë.

Qeveria shqiptare, referuar kontratës,do të kishte të drejtën e marrjes së një pjesë të të ardhurave bruto.

Për 6 vitet e para, të gjitha të ardhurat do të merreshin nga koncesionarët por duke filluar nga viti i 7-të, qeveria shqiptare do të marrte për 5 vite më radhë 12 % të të ardhurave nga totali, dhe pastaj 22 % në mbarim të koncesionit.

Në përfundim të afatit të koncesionit, kullat, vendbanimet dhe çdo gjë tjetër që do të ishin pasuri e paluajtshme e kompanisë do t’i kalonin shtetit shqiptar pa shpërblim.

Pavarësisht kësaj, deri në vitin 1931 nuk pati avancime me çështjen, derisa qeveria miratoi dy vendime që rregulluan definitivisht çështjen. Studiuesi Haxhi Shkoza shkruan se “i pari autorizonte ministrinë kompetente që të njoftojë shoqërinë “Michel& Collas” se po të dëshirojë mund të marrë pjesë në adjudikatën e fenerëve që do të shpallej për dhënien e tyre me koncesion dhe i dyti urdhëron formimin e një komisioni për përgatitjen e kushteve të adjudikatës në fjalë”.

Por ky koncesion/PPP, nuk avancoi më tej edhe për vetë faktin se kompania në fjalë dorëzoi pasuritë e saj dhe të gjithë koncesionin te qeveria e re turke (që kishte mbyllur kapitullin e Perandorisë Osmane), duke i dhënë fund edhe në Shqipëri, historisë së një partneriteti të pazakontë publik/privat që mund të konsiderohet si më jetëgjatë, deri më tani, në historinë e territorit shqiptar.