Extra Florjan Binaj zbulon arsyen e ikjes nga “Portokalli” pas 18 vitesh

Florjan Binaj zbulon arsyen e ikjes nga “Portokalli” pas 18 vitesh

Ashtu siç njoftoi në një deklaratë të pak ditëve më parë, Florjan Binaj ka folur sot gjatë për largimin e tij nga Portokallia pas plot 18 vitesh pjesë e spektaklit të humorit.

Përmes një postimi të bërë në llogarinë e tij të Instagramit, Binaj hodhi poshtë gjithë çfarë është folur ditët e fundit nëpër portale, duke thënë se më shumë se një arsye, ikja lidhet me një tjetër mision të tijin.

“Pas 18 vitesh, vendosa të jap dorëheqjen dhe të largohem nga Portokallia, rrjedhimisht edhe nga Top Channel. Largohem kur bëj fiks 18 vite jetë me Portokallinë dhe 18 vite pa Portokallinë. Ka qënë një rrugëtim i jashtëzakonshëm i cili më ka rritur profesionalisht dhe personalisht! Kam njohur kolegë shumë të talentuar gjatë gjithë këtij rrugëtimi, kam përjetuar emocione shumë të forta, kam dhënë mish e shpirt. Fatmirësisht, në profesionin e komedisë nuk bën dot hile, o bën për të qeshur ose nuk bën, nuk qesh njeri me zor në skenë!

U jam mirënjohës të gjithë kolegëve që më kanë ndihmuar në ngritjen time profesionale, mbi të gjitha, i jam mirënjohës në këtë jetë edhe në tjetrën, krijuesit të Top Media, Dritan Hoxha. Falë asaj që Tani krijoi, unë dhe shumë të rinj patëm mundësinë të shfaqnim talentin tonë. Jam krenar që kam qënë pjesë e një kohe e cila vështirë se do vijë sërish, por asgjë nuk zgjat përjetë.”

Ndonëse ikja e tij nuk lidhet as me protestat, as me krijimin e një partie apo qeverinë, Binaj flet në lidhje me një mision:

“Ikja ime nga Portokallia nuk ka lidhje as me protestat, as me qeverinë dhe as me krijim partish! Ikja nga Portokallia ka të bëjë me një mision, i cili do t’i shërbejë në të ardhmen artistëve shqiptarë, çështja e të drejtave të autorit që fatkeqësisht në Shqipëri, quhen si mall pa zot dhe zotër vetëshpallen ata që nuk janë. Koha do e tregojë kush ka pasur të drejtë e kush jo, sepse koha nuk di të gënjejë.”- vazhdon ai, duke mos thënë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Në fund, aktori i humorit falenderon stafin dhe Top Channel, duke premtuar se personazhet e tij publiku do t’i shohë sërish në projekte të ardhshme.