Extra Holandezi që ka udhëtuar në 130 vende të botës me vetëm 30...

Holandezi që ka udhëtuar në 130 vende të botës me vetëm 30 dollarë në ditë

Nga dhjetori 2012 e deri më sot, gjithçka që bën Tom Grond është të udhëtojë nëpër botë. Gjatë këtyre 10 viteve, ai ka vizituar rreth 130 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë Sirinë, Jordaninë, Kolumbinë, Burkina Faso e të tjera.

Holandezi, i cili e bën jetesën përmes internetit dhe rrjeteve sociale, e cilëson veten si turist me kohë të plotë, ndërsa sqaron se nuk do t’i kthehet jetës së mëparshme, në të cilën punonte për qeverinë holandeze.

Përpara se të niste këtë udhëtim të gjatë dhe emocionues, ai kishte kursyer mjaftueshëm para për të udhëtuar vazhdimisht për tre vitet e para. Ai madje kishte vendosur një kufi shpenzimi prej 30 dollarë në ditë.

“Njerëzit mendojnë se vij nga një familje e pasur. Po jam i privilegjuar. Unë kam një pasaportë vërtet të mirë sepse jam nga Holanda”, tha ai për CNN. “Kam mbledhur shumë para përpara se të filloja. I vendos edhe vetes limite, duke mbajtur një buxhet specifik. Kjo është arsyeja pse unë kam qenë në rrugë për kaq shumë vite.”

Fama që fitoi gradualisht në rrjetet sociale (ai ka pseudonimin Traveltomton), i lejoi të zgjaste për një kohë të gjatë këtë bredhje shumë interesante nëpër glob. Duke shkruar dhe postuar gjëra të ndryshme për eksperiencat që ka mbledhur, ai arrin të gjejë burime të mjaftueshme parash.

Grond hapi një llogari në Instagram në vitin 2014. Sot ai numëron rreth 208 mijë ndjekës, një audiencë shumë dinamike. Në të njëjtën kohë, kjo i hapi dyert për të qëndruar falas në hotele të ndryshme, të cilat në këmbim kërkonin një postim pozitiv në rrjetet sociale.

Megjithatë, e gjithë kjo e detyroi atë të bënte një mënyrë jetese rutinore, gjë që nuk i pëlqente. Kështu, në vitin 2016, ai hapi një blog, www.traveltomtom.net, në të cilin regjistron përvojat e tij. Në këtë mënyrë ai ka arritur të financojë udhëtimet e tij, nëpërmjet të ardhurave nga vizitat e lexuesve.

Megjithatë, ai ende përdor mediat sociale, si Istagram dhe TikTok, ku ka një total prej 300,000 ndjekësish. “Blogu është sekreti për të qenë turist me kohë të plotë. Jam shume i lumtur. Dua të eksploroj vende të ndryshme, të takoj vendasit dhe të shoh jetën që ata kanë”, thekson udhëtari holandez, duke i ftuar të tjerët të ndjekin shembullin e tij.