Kryesore Ilir Beqaj thyen heshtjen për “sterilizimin”: E vërteta për koncesionin dhe si...

Ilir Beqaj thyen heshtjen për “sterilizimin”: E vërteta për koncesionin dhe si e njoh biznesmenin Ilir Rrapajn

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka thyer heshtjen lidhur me dosjen e koncesionit të sterilizimit për të cilën është arrestuar ish-zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Në reagimin e tij për gazetën “Tema”, Beqaj argumenton pse firmosi për koncesionin. Pranon njohjet me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe ortakun e tij Umbro Staccini, si dhe vë në dukje arsyet pse sipas tij ishte i nevojshëm koncesioni i sterilizimit.

Reagimi i plotë i Ilir Beqajt:

Prej disa ditësh opinioni publik e ka vëmendjen kryesore te e ashtuquajtura afere e “sterilizimit”. Duke qenë se çështja është ende në hetim e gjykim nuk e parë të udhës të shprehem publikisht. Aq më tepër që kam marrë vesh nga media që gjyqtari ka kërkuar që të hetohem edhe unë. Por për çfarë po i ofrohet publikut ndjej se duhet informoj për disa gjëra që në fakt janë përsëritje të atyre gjërave që kam thënë në publik në vite.

Nuk është fjala për një koncesion. Nuk është një drejtë apo e mirë publike që iu dha një privati për ta shfrytëzuar për të bërë biznes për qëllime të tij.

Është një partneritet publik – privat ku një operator privat (në këtë rast një bashkim operatorësh privatë) kontrakohet që të ofrojë një shërbim që shteti duhet ta kryejë për qytetarët e vet.

Kontrata nuk përbën thjesht dhe vetëm vënien në punë të një centrali sterilizimi në QSUT.

Kontrata i kërkon një operatori privat që për të gjithë sallat operatore në Shqipëri ku shërbejnë çdo ditë rreth 430 kirurgë të ofrohet për çdo ndërhyrje kirurgjikale një set instrumenatsh kirurgjikalë i personalizuar sipas asaj klase dhe tipi ndërhyrje kirurgjikale STERILË, një set me veshje njëpërdorimësh të tipit TNT për shtratin operator dhe trupën mjekësore, dezinfektimi i sallës së operacionit dhe trajtimi i mbetjeve të rrezikshme që krijohen nga veshjet që përdoren dhe përpunimi i tyre në mbetje urbane të parrezikshme. I janë dhënë një operatori të vetëm për të patur vetëm një PËREGJEGJËS për rrezikun e infeksionit spitalor.

Zbatimi i suksesshëm i kësaj kontrate në vite ka sjellë që në sallat e kirurgjisë të spitaleve publike shqiptare të ulet ndjeshëm infeksioni spitalor dhe të ulet me të paktën 1,8 ditë ditëqëndrimi i një pacienti në spital.

Nuk eshët vetëm centrali i QSUT-së, por një rrjet centralesh që ka atë të QSUT-së si primar.

Kontrata ka furnizuar të gjithë kirurgjinë shqiptare me më shumë se 100 mijë instrumenta kirurgjikal të rinj e modernë.

Në shtator 2013 kur unë kam marrë detyrën e Ministrit, vendimi që sterilizimi në QSUT do të kryhej jashtë sallave të operacionit ishte marrë prej vitesh. Në spitalin e ri të ndërtuar në 2009 me konsulence të marrë nëpërmjet Bankës së Këshillit të Europës ishte lënë në katet nëntokë një mjedis për të instaluar një central, ndërsa po prej disa vitesh ishte blerë një central. Nuk ishte inauguruar sepse të inaugurohet do të thotë të fillojë punë. Nuk ishte vënë ndonjë herë në punë dhe në shtator 2013 pajisjet kishin dalë edhe nga periudha e garancisë.

Për zbatimin e kontratës kontraktori ka të punësuar rreth 250 vetë nga të cilat në centralin e QSUT-së janë vetëm 30 vetë. Kjo dëshmon se kontrata merr përsipër shumë më tepër sesa vënia në punë e centralit. Por përveç vënies në punë të centralit, nuk ishte parashikuar se si do të shkonin instrumenta sterilë nga godina e centralit në kirurgjinë pediatrike, në neurokirurgji, kardiokirurgji, në kirurgjinë onkologjike etj. Për atje kalohet nga ambientet e jashtme QSUT. Kush do i transportonte dhe me se do i transportonte pa cënuar sterilitetin e instrumenteve kirurgjikalë. Kush do i kthente përsëri në central për t’i sterilizuar rishtaz.

Meqenëse se po thuhet se centrali i sterilizimit i QSUT i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentat e sterilizuar për tek spitali i Traumës, tek secili nga dy maternitetet, tek spitali Shefqet Ndroqi. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtaz. Nga zbatimi i kontratës rezulton se vetëm në QSUT Vetëm në QSUT, përdoren 935 kontenierë për instrumenta, 22 tavolina lëvizëse dhe 80 dollapë për depozitimin e kontenierëve të set-eve pranë depozitave të çdo salle operatore. Në të gjithë vendin janë 3500 kontenierë instrumentash, 53 tavolina lëvizëse dhe 190 dollapë.

Meqenëse se po thuhet se centrali i sterilizimit i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentat e sterilizuar për tek spitali i Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës, Sarandës, Vlorës, Elbasanit etj, etj. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtaz.

Kush do i përballonte shpenzimet e këtij sterilizimi dhe transportit? QSUT për të gjithë Shqipërinë? Sa duhet të paguanin spitalet e tjera për këtë shërbim? Spitalet në Shqipëri nuk janë realtete ekonomikë që ofrojnë shërbime për spitale të tjerë.

Prandaj ishte e nevojshme një Operator i vetëm.

Në vitin 2014 nuk i kishim as dijet, as njohuritë dhe as paratë për ta bërë vetëm një sipërmarrje të tillë. Në vitin 2014 qëllimi kryesor ishte ndalimi i rrënimit të asaj çfarë gjetëm dhe shlyerja e 40 milionë USD borxhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme.

Siç e thashë edhe më lart, janë të punësuar rreth 250 vetë. Vetëm shpenzimet e shpërblimit të tyre kushtojnë rreth 250 milionë lekë në vit. Dhe nëse shërbehen rreth 60 mijë operacione më vit, rezulton që vetëm shpenzime personeli për një ndërhyrje kirurgjikale janë reth 4 mijë lek.

Megjithatë më mirë se vetë mjekët askush nuk e kupton çfarë ndryshimi ka sjellë ky shërbim në kirurgjinë shqiptare.

Në vijim janë dëshmitë e disa mjekëve të nderuar e të respektuar. I kërkoj ndjesë që po i përdor pa lejen e tyre por gjenden lirshëm nëse kërkon në Google. Po i ripostoj në vijim të këtij shënimi.

Dhe së fundmi diçka lidhur me udhëtimet e mija jashtë shtetit me “miqtë” e mi Umbro Staccini e Ilir Rrapaj. I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me sipërmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam firmosur kontrata me ta.

Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Europë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte Wizzair). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicia për fajësi.

Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qenë edhe Admir Daca. Mundet. E ka njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturuar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një kërkim “ilir beqaj në ANEA” në Google dhe ju del lajmi i asaj vizite. Pse kam qenë dhe me kë kam qenë. Por po e ripostoj.

Në maj 2017 nuk kam udhëtuar jashtë shtetit sepse kam qenë në qarkun e Dibrës në fushatë elektorale.