Kryesore Incidenti në uzinën e armëve, Presidenti Begaj: Të zbardhet ngjarja, jam në...

Incidenti në uzinën e armëve, Presidenti Begaj: Të zbardhet ngjarja, jam në komunikim me strukturat e sigurisë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka reaguar për ngjarjen në uzinën ushtarake në Gramsh, ku 3 shtetas të huaj tentuan të hynin dhe sulmuan 2 ushtarë shqiptarë.

Në reagimin e tij, Begaj thotë se po ndjek këtë incident në bashkëpunim me strukturat e sigurisë, shërbimet informative dhe Shtabin e Forcave të Armatosura.

Presidenti kërkon zbardhjen e kësaj ngjarje dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare.

“Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me shumë vëmendje. Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare. Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë”, deklaron Presidenti Bajram Begaj.

Dy rusë dhe 1 ukrainas tentuan mbrëmjen e së shtunës të hynin brenda uzinës së armëve në Gramsh, por u zbuluan nga rojet. Gjatë tentativës për t’u arratisur, ata i hodhën sprej neuroparalizues dy ushtarëve shqiptarë, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Tre shtetasit e huaj janë arrestuar dhe kanë deklaruar se janë turistë.