Bota Incidenti ruso-britanik në Krime, Putin: Edhe SHBA mori pjesë në atë provokim

Incidenti ruso-britanik në Krime, Putin: Edhe SHBA mori pjesë në atë provokim

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, akuzoi Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për provokime në Detin e Zi, pranë Krimesë.

Gjatë një interviste në Moskë, Putin komentoi incidentin e 23 qershorit, kur një anije dhe një avion luftarak rus lëshuan predha paralajmëruese në drejtim të një destrojeri britanik, i cili ishte futur në ujërat territorialë rusë.

Ishte pa diskutim një provokim. Çfarë donin dhe çfarë synimi kishin këta provokatorë? Pikë së pari ishte një provokim kompleks, dhe nuk u bë vetëm nga britanikët, por edhe amerikanët”, tha Putin.

Incidenti ndodhi në ujërat e Krimesë, një gadishull në Detin e Zi që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014, por që çdo shtet tjetër e njeh si pjesë të Ukrainës.

Takim me presidentin e Ukrainës?

I pyetur nëse do të takohej me presidentin e shtetit fqinj, Zelenskiy, Putin tha: “Pse duhet të takohem me të kur e ke dorëzuar vendin e tij në kontrollin e plotë të të huajve? Çështjet jetike për Ukrainën nuk zgjidhen në Kiev, por në Uashington, Berlin dhe Paris. Çfarë ka për të diskutuar aty? Megjithatë, nuk refuzoj asnjë takim, duhet vetëm të vendosim çfarë do të diskutojmë”.

Çfarë vaksine mori kundër koronavirusit

Prej kohësh e mbante të fshehtë, por presidenti Putin më së fundi tregoi se çfarë vaksine mori kundër pandemisë së koronavirusit.

Përpara gazetarëve, kreu i Kremlinit u shpreh se ishte vaksinuar me vaksinën ruse Sputnik V.

68-vjeçari e mori dozën e parë të vaksinës në mars, ndërsa të dytën në prill, por prej asaj kohe nuk e kishte treguar llojin e vaksinës, për të mos ndikuar te qytetarët.

Ai përsëriti edhe njëherë qëndrimin gjatë intervistës se ishte kundër një vaksinimi të detyrueshëm, megjithatë disa zona në Rusi kanë aplikuar detyrimin e vaksinimit për kategori të caktuara të qytetarëve.