Bota Italia nuk e ka kaluar ende pikun e koronavirusit: 766 të vdekur...

Italia nuk e ka kaluar ende pikun e koronavirusit: 766 të vdekur në 24 orët e fundit

Bilanci ditor në Itali: +2339 të sëmurë, 766 të vdekur. Të shëruarit bëhen pothuajse 20 mijë, por ende nuk ka nisur rënia.

Italia është ende në pikun e koronavirusit. Të dhënat për rritjen e të sëmurëve është e qëndrueshme, ashtu si edhe zbulimi i rasteve të reja në krahasim me tamponët e bërë. Të dhënat e buletinit të ri ditor të Mbrojtjes Civile tregojnë një rritje të të sëmurëve (të personave aktualisht pozitivë: 2.339 të prekur (në tre ditët e fundit ishin 2.107, 2.937 dhe 2.477 dje).

Për fat të keq është në të njëjtin nivel edhe numri i viktimave që akoma nuk po ngadalësohet. Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, në 24 orët e fundit kanë vdekur 766 persona (dje viktimat ishin 760), duke arritur në një total prej 14.681 të vdekurish.

Edhe të shëruarit janë të njëjtin nivel, duke arritur në kuotën 19758, me një rritje 1480 personash në 24 orët e fundit (dje ishin shëruar 1431 persona).

Kreu i agjencisë së Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, deklaroi sot se “bllokimi kombëtar i lëvizjes në Itali, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, me shumë mundësi do të zgjasë përtej ditëve të para të muajit maj”.

Në fillim të kësaj jave qeveria zgjati afatin e gjendjes së karantinës deri më 13 prill dhe kjo nënkupton ndalime të lëvizjes dhe mbylljen e dyqaneve dhe aktiviteteve që nuk konsiderohen si të domosdoshme në këto kohë.