Kryesore “Jemi pak xhelozë për Malin e Zi”, çfarë bisedoi Rama me Presidentin...

“Jemi pak xhelozë për Malin e Zi”, çfarë bisedoi Rama me Presidentin e Azerbajxhanit

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Azerbajxhan për një vizitë zyrtare ku është takuar me Presidentin Ilham Aliyev. Kreu i qeverisë ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga momenti i takimit të tij me kreun e shtetit të Azerbajxhanit.

Aliyev është shprehur se përfaqësuesit e dy vendeve po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit të dy vendeve sa i përket fushës së energjetikës.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek pjesa e turizmit. Kreu i qeverisë po ashtu u shpreh se pret me padurim që Presidenti Aliyev të vizitojë Shqipërinë.

Ilham Aliyev: Vizita juaj dëshmon edhe njëherë nivelin e lartë të dialogut politik mes dy vendeve tona. Jemi takuar shumë herë dhe kemi komunikuar përmes telefonit. Po kështu edhe gjatë aktiviteteve ndërkombëtare kemi shfrytëzuar mundësinë për t’u takuar me njëri-tjetrin. Natyrisht jemi këtu për të zhvilluar takime dypalëshe dhe për të diskutuar çështje të zhvillimit rajonal, po kështu do flasim edhe për çështje dypalëshe, ku do shkëmbejmë informacione dhe do të flasim për rritjen e qarkullimit tonë tregtar që është ,modest, por ka potencial për t’u rritur. Po kështu do të diskutojmë bashkëpunimin në sektorin e energjisë. Prej më shumë se 1 viti Azerbajxhani është bërë eksportues i gazit natyror drejt Europës. Shqipëria ka qenë mbështetëse e kësaj nisme. Përfaqësuesit tuaj të nivelit të lartë kanë marrë pjesë në takimet e Këshillit Konsultativ të Korridorit Jugor dhe kanë kontribuar për zbatimin e këtij projekti. Jemi në një ekip vendesh të cilat kanë zbatuar me sukses këtë projekt historik duke pasur parasysh rëndësinë e korridorit jugor të gazit dhe sidomos gazsjellësit Transatlantik. Përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit tonë në fushën e energjetikës që përfshin gazin natyror, furnizimet tranzite dhe energjinë elektrike. Është një pjesë mjaft e madhe e axhendës sonë dy palëshe. Ajo që është tashmë në proces bisedimesh do të sjellë si rezultat zhvillime të reja.

Edi Rama: Shqipëria ka qenë, është dhe do të jenë mbështetëse e Azerbajxhanit, e së vërtetës dhe të drejtës historike të Azerbajxhanit. Ne përgëzojmë përpjekjet tuaja të lavdueshme e shembullore për paqe dhe bashkëpunim afatgjatë me fqinjin tuaj Armeninë. Në të njëjtën ne jemi të dy të bekuar të kemi një urë të fortë mes nesh që është Turqia. Besoj fort se mund të bëjmë më shumë dhe ju e përmendët. Pres me shumë padurim që të dëgjoj dhe të shoh perspektivat dhe çfarë kanë arritur ekipet tona, qoftë në sektorin e energjisë dhe turizmit. Siç ju ka thënë disa herë, kemi disi të drejtën tonë për të qenë xhelozë për Malin e Zi sepse aty keni bërë një investim masiv dhe jo thjesht në kuptimin financiar, por edhe në kuptimin e modelit që është. Shpresoj që do të bëni të njëjtën gjë. Pres me padurim që të mbani fjalën dhe të vini në Shqipëri tani që Covid është zbutur një farë soji dhe rruga është hapur. Ndërkohë që prisja që ju të vini mendova pse mos të vija unë. Siç thuhet “kur mali nuk shkon dot tek Muhamedi, shkon Muhamedi tek mali”. Kështu që faleminderit shumë për këtë mikpritje të ngrohtë dhe presim me padurim që të lajmë borxhin në momentin që ju do të vini në vendin tonë.