Sport Juve në alarm për Dybalan, kthehet para kohe në Torino

Juve në alarm për Dybalan, kthehet para kohe në Torino

Paulo Dybala ende nuk e ka bërë debutimin sezonal me Juventusin. “La Joya” u dëmtua më datë 7 gusht në sfidën e Champions League-s përballë Lionit, por në momentin kur dëmtimi muskulor më në fund u kthye në një kujtim, argjentinasi ka shfaqur probleme të tjera të natyrës gastro-intestinale.

I grumbulluar me përfaqësuesen, 26-vjeçari nuk do të luajë as ndaj Bolivisë, teksa nuk zbriti në fushë as në fitoren 1-0 kundër Ekuadorit. Federata Argjentinase e Futbollit njoftoi se Dybala nuk është në gjendje fizike për ta ndihmuar ekipin, një situatë që e shqetëson Juventusin. Numri 10 i bardhezinjve do të udhëtojë më shpejt nga ç’ishte parashikuar për në Torino me shpresën që edhe ky shqetësim i fundit të zhduket dhe lojtari të jetë i gatshëm për sfidën e kësaj të shtune përballë Crotones.

Nëse ia del të jetë i gatshëm, atëherë me shumë gjasa do të bëjë debutimin sezonal. Dybala ishte i pranishëm në listën e lojtarëve për ndeshjen ndaj Romës, por nuk u aktivizua, po ashtu ai ishte edhe në listën e futbollistëve për takimin kundër Napolit, por dueli nuk u zhvillua.

Sezonin e shkuar djaloshi nga Laguna Larga zbriti në fushë në 47 ndeshje gjithsej, duke shënuar 17 gola e dhuruar 14 asiste. Dybala është pa diskutim një ndër elementët më të rëndësishëm te 36 herë kampionët e Italisë.