Ekonomi Kazinotë do të rikthehen në lagjen më të lakmuar të Tiranës

Kazinotë do të rikthehen në lagjen më të lakmuar të Tiranës

Kazinotë do të rikthehen në kryeqytet. Një vendim i qeverisë i miratuar në datën 2 shtator, i cili u publikua sot në fletoren zyrtare, përcakton se qendra e Tiranës do të jetë zona se ku do të pozicionohen kazinotë në kryeqytet.

Sipas kësaj VKM-je parashikohet se lojërat e fatit të tipit kazino do të pozicionohen brenda perimetrit të Rrugës së Barrikadave, ‘Urani Pano’, ‘Dedë Gjo Luli’, ‘Ibraim Rugova’, ‘Xhorxh Bush’ dhe Bulevardit ‘Zhan D’ark’.

Ky vendim i qeverisë shoqërohet me një tjetër që përcakton kriteret për të lejuar ushtrimin e lojërave të fatit të tipit kazino, ku kryesorja është se duhet të ketë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë dollarë.

Tashmë, aktivitetet që i mbylli vetë qeveria është duke i rihapur në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, ku vitet e fundit po lulëzojnë edhe ndërtimet shumëkatëshe dhe pronarët e tyre e kanë më të lehtë të posedojnë kapitalin prej 12 milionë dollarësh.