Aktualitet Korça do t’i bashkohet të hënën zonave të gjelbra

Korça do t’i bashkohet të hënën zonave të gjelbra

Prej ditës së hënë, edhe Korça do t’i bashkohet zonave të gjelbra në vendin tonë duke u cilësuar si një qytet me një risk të ulët për transmetimin e virusit COVID -19. Qyteti më i madh në juglindje të vendit prej 22 ditësh nuk ka pasur asnjë rast të ri pozitiv me COVID-19.

Në 24 orët e fundit nuk është dërguar drejt Tiranës pranë Institutit të Shëndetit Publik asnjë tampon për raste të dyshuara. Për 22 ditë me rradhë qarku i Korçës është i pastër dhe pa asnjë rast të ri të prekur nga virusi.

Në krahun tjetër, nga 19 të infektuarit në total në këtë qark me koronavirus, 18 janë shëruar tashmë duke iu kthyer jetës normale, ndërsa vetëm një nga të prekurit me COVID vijon të marrë shërbim mjekësor pranë Spitalit Infektiv në kryeqytet.

Duke parë riskun e ulët dhe mospasjen e asnjë rasti pozitiv për 22 ditë me radhë, Korça do t’i bashkohet zonave të gjelbra, duke plotësuar të gjithë qarkun.

Më herët, Pogradeci fillimisht e më pas Maliqi, Devolli dhe Kolonja janë listuar në zonën e gjelbër të vendit, si qytete me risk të ulët për transmetimin e virusit.