Kryeministri i Francës, Jean Castex, ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19, duke detyruar edhe kryeministrin belg, Alexander de Croo, si dhe 4 ministra të izolohen, pas takimit me politikanin francez, të hënën.
Kryeministri Jean Castex, i cili është plotësisht i vaksinuar, rezultoi pozitiv me virus, pasi u kthye në Francë nga një vizitë me ministrat në Bruksel, konfirmoi zyra e tij.
Pas kthimit të tij nga Belgjika, Castex mësoi se vajza e tij 11-vjeçare kishte rezultuar pozitive me koronavirus. Më pas, edhe kryeministri rezultoi pozitiv dhe po karantinohet. Deri më tani, Castex nuk po përjeton asnjë simptomë dhe ndihet mirë, raportuan mediat vendase.
Për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 shumë vende evropiane kanë imponuar masa më të rrepta. Por Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca nuk ka nevojë të ndjekë masa të tilla pasi rregullat e pasaportës shëndetësore kanë ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të virusit.