Extra Ku shkuan gjithë të tjerët? Pse Homo sapiens ishte e vetmja specie...

Ku shkuan gjithë të tjerët? Pse Homo sapiens ishte e vetmja specie njerëzore që mbijetoi

Një model kafke i Homo floresiensis, i zbuluar fillimisht në ishullin Flores të Indonezisë

Të paktën nëntë specie bridhnin dikur në Tokë, çfarë ndodhi me paraardhësit tanë të zhdukur?

300,000 vjet më parë të paktën nëntë lloje njerëzish ndodheshin në planet. Sot kanë mbetur vetëm një lloj, Homo sapiens. Dhe kjo ngre një nga pyetjet më të mëdha në historinë e evolucionit njerëzor: ku shkuan speciet e tjera?

“Nuk është rastësi që disa nga këto specie u zhdukën rreth kohës kur Homo sapiens filloi të përhapej jashtë Afrikës dhe në të gjithë botën”, thotë profesori Chris Stringer, nga Muzeu i Historisë Natyrore të Londrës, për The Guardian. “Ajo që ne nuk dimë është nëse kjo përhapje e tyre ndodhi menjëherë apo jo”, shtoi profesori.

Ka shumë teori rreth zhdukjes së ‘kushërinjve’ tanë njerëzorë dhe prova të kufizuara për të deshifruar se çfarë ka ndodhur saktësisht. Por studimet e fundit ofrojnë të dhëna tërheqëse.

Ajo që ne dimë është se rreth 40,000 vjet më parë, Homo sapiens ishte specia e fundit njerëzore që mbijetonte, nga një grup i madh dhe i larmishëm hominidësh dykëmbësh. Disa spekulojnë se Homo sapiens kishte norma më të mira të mbijetesës së foshnjave sesa hominidët e tjerë, ose se ndryshimi i klimës i shtyu speciet e tjera drejt zhdukjes. Të tjerë besojnë se Homo sapiens u ndërthurën me specie të tjera dhe asimiluan gjenetikën e tyre.

Rreth 300,000 vjet më parë, popullsia e parë Homo sapiens u shfaq në Afrikë. Ata nuk dukeshin si njerëzit modernë. Ata kishin kafka të larta, të rrumbullakosura me ballë pothuajse vertikalë. Ata gjithashtu kishin mjekër – diçka që asnjë specie tjetër Homo nuk e kishte.

Për periudhën, se kur Homo sapiens u larguan nga Afrika është debatuar shumë. Provat gjenetike sugjerojnë se ka pasur një eksod të madh nga kontinenti midis 80,000 dhe 60,000 vjet më parë. Një kafkë Homo sapiens e gjetur në shpellën Apidima në Mani është të paktën 210,000 vjet e vjetër, më e vjetra e gjetur jashtë Afrikës.

Llojet e tjera njerëzore

Ne dimë për disa grupe të tjera Homo që ekzistonin së bashku me Homo sapiens midis 300,000 dhe 100,000 vjet më parë. Disa ishin mjaft të ngjashme me të. Neandertalët duruan motin e ftohtë të Europës dhe Denisovanët misterioz jetonin në Siberinë dhe Tibetin e sotëm, e ndoshta edhe më larg.

Homo erektus jetonte në disa pjesë të Indonezisë, Homo Longi jetonte në Kinë. Homo rhodesiensis (i njohur gjithashtu si Homo bodoensis ose Homo heidelbergensis) jetonin në Afrikën qendrore dhe jugore.

Llojet e tjera ishin krejt të ndryshme nga ne: Homo naledi, me një tru sa një majmun, jetonte nëpër livadhet e pyllëzuara të Afrikës së Jugut, dhe Homo floresiensis dhe Homo luzonensis jetuan në ishujt Flores dhe Luzon në Indonezi dhe Filipine, respektivisht.

Përparësitë e Homo sapiens

Për shumicën e specieve të lashta njerëzore, të dhënat fosile janë të dobëta. Për Neandertalët dhe Denisovanët ka të dhëna të mjaftueshme, duke përfshirë gjenomet e plota, që i çuan studiuesit në përfundimin se këto specie jetonin në grupe të vogla dhe ndërthureshin shpesh. Mungesa e diversitetit gjenetik do t’i bënte këto popullata më të ndjeshme ndaj sëmundjeve dhe për këtë arsye kishte më pak gjasa për të mbijetuar.

Për krahasim, Homo sapiens përfshinte grupe më të mëdha dhe diversitet gjenetik më të madh, gjë që i dha përparësi përtej rezistencës ndaj sëmundjeve. Elasticiteti social mund të ketë ndihmuar Homo sapiens t’i mbijetojë ndryshimeve klimatike, që do të kishin vrarë individë dhe specie më pak adaptive. E njëjta gjë vlen edhe për disa risi në dukje të vogla, por shumë të rëndësishme, si thurja apo qepja, aktivitete që bëheshin nga Homo Sapiens.

“Pasi ecnin, Homo Sapiens mund të bënin shporta ose rrjeta kurthi. Një gjilpërë qepëse ju jepte një përparësi të madhe, kështu ju keni tenda më të izoluara dhe mund t’i mbani foshnjat tuaja ngrohtë, gjë që është sigurisht e rëndësishme për mbijetesën e foshnjave”, thotë profesori Stringer.

Një mundësi tjetër është që Homo sapiens të ketë asimiluar gjenet e specieve të tjera – ka prova gjenetike që kjo ka ndodhur, megjithëse nuk dihet nëse Homo Sapiens është apo jo përgjegjës për zhdukjen e specieve të tjera. Disa njerëz që jetojnë sot në Euroazi kanë deri në 2% ADN të Neandertalit, ndërsa popullatat në Oqeani, e cila përfshin Australazinë, Melanezinë, Mikronezinë dhe Polinezinë, kanë midis 2% dhe 4% ADN Denisovane. Disa grupe kanë një përqindje edhe më të lartë. Ekziston edhe misteri i tmerrshëm i një paraardhësi të panjohur njerëzor, i cili kontribuoi midis 2% dhe 19% të prejardhjes gjenetike, për njerëzit që jetojnë në Afrikën perëndimore sot.

“Rrjetëzimi është i rëndësishëm, aftësia për t’u përshtatur me ndryshimin është e rëndësishme”, thotë Stringer. “Ajo që ne shohim nga Neandertalët dhe Homo sapiens është se grupet që bashkëpunuan më mire me tjerët dhe mjedisin ishin ato që ia dolën të mbijetojnë”, thotë ai.