Kryesore Kushi: Universitetet dhe konviktet vatra infeksioni, kush e sugjeroi mbylljen

Kushi: Universitetet dhe konviktet vatra infeksioni, kush e sugjeroi mbylljen

Ministrja e arsimit Evis Kushi thotë se vendimi i beftë për nisjen e vitit akademik online ishte i nevojshëm pasi komiteti teknik i ekspertëve arriti në përfundimin se auditoret dhe konviktet mund të ktheheshin në vatra infeksioni. Në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, Kushi sqaroi pse vendimi erdhi vetëm dy ditë para çeljes së universiteteve.

“Kjo pandemi ne na mësoi që parashikimet nuk mund ti bëjmë një muaj para. Dinamika është e tillë që ka vendime që merren edhe në orët e fundit apo ditët e fundit dhe ky është një rast. Komiteti i ekspertëve sugjeron. Komiteti ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të përcaktuar strategjinë e gjurmueshmërisë së virusit dhe për të udhëzuar qeverinë për hapat që do të marrë dhe për vendimet që duhet të marrë. Dhe komiteti arriti në konkluzionin që universitetet e sidomos konviktet mund të jenë vatra të mundshme infeksioni”, theksoi Kushi në Përballë.

Sipas ministres kosto do të ishte shumë me e madhe nëse universitetet do të nisnin në auditore.

“Dhe unë po të isha studente do të kisha dashur auditorin dhe jo nga shtëpia. Nuk kishte më keq për mua që te uroja ditën e parë me auditore të zbrazura. Kosto do të ishte shumë më e madhe nëse do të fillonte universiteti në auditore dhe pastaj do të kishim një përhapje më të madhe të virusit. Do të kishim pasoja shumë më të rënda”, – tha Kushi.

Ndërsa doktor Skënder Brataj, anëtar i komitetit teknik argumentoi në emisionin Përballë se përse ekspertët arritën në këtë vendim.

“Për një arsye shumë të rëndësishme. E tregoi eksperienca e SHBA-ve që kur u hapën konviktet dhe sallat e leksioneve ku të gjithë bëhen bashkë, kapërceu numri i infeksioneve. Tjetra, në Shqipëri përqendrimin e universiteteve e kemi në Tiranë. Që të sjellësh 40 mijë 50 mijë të rinj në Tiranë në këtë moment kur Tirana është një zonë e kuqe. Këto persona në darkë nuk do të rrinë në konvikte, në fundjavë do të shkojnë sërish në shtëpitë e tyre. Pra është burim infeksioni kryesor”, theksoi Brataj në Përballë.